Kosova do të hapë fabrikë për prodhimin e municionit, tha kreu i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti. Ai, në mbledhjen e sotme të qeverisë, njoftoi se ka marrë vendim për themelimin e komisionit ndërministror për vënien e hapave të parë për ngritjen e industrisë ushtarake.
Ai tha se qëllimi fillestar është nisja e procedurave e negociatave lidhur me hapjen e fabrikës për prodhim të municioneve dhe për laboratorin për dizajnimin e fluturakeve pa pilot.
“Këtë ditë të rëndësishme për ushtrinë tonë po e shënojmë me një vendim të rëndësishëm, që porsa e nënshkrova, para se të vij këtu në mbledhje dhe me një hap të domosdoshëm besojmë, për të garantuar zhvillimin e qëndrueshëm të saj: do të themelojmë komisionin ndërministror për qëllim të vlerësimit dhe nisjes së procedurave e negociatave lidhur me hapjen e fabrikës për prodhimin e municionit dhe për laborator mbi dizajnimin e fluturakeve pa pilot në Republikën e Kosovës”, tha ai.
Kreu qeveritar shtoi se përmes këtij vendimi ushtria kosovare do të sigurojë operacionalitetin e plotë dhe të qëndrueshëm.
“Një ushtri që për një kohë kaq të shkurtër është armatosur kaq shumë sa kjo jona, ka nevojë për ta siguruar e garantuar operacionalitetin e plotë dhe qëndrueshmërinë tërësore. Andaj, me sot hedhim hapat tanë të parë për ngritjen e industrisë ushtarake”, tha Kurti. Sipa tij, qeveria aktuale ka treguar që mbrojtja ka qenë ndër prioritetet kryesore dhe kjo është dëshmuar në vazhdimësi si me numrin e ushtarëve që është dyfishuar, si me buxhetin për Ministrinë e Mbrojtjes që është trefishuar, si me trajnimet jashtë vendit të oficerëve dhe ushtarakëve tanë që janë katërfishuar, si me investimet në armatim që janë shumëfishuar”.