Kosova pranon planin e ri të pesëshes si kornizë për vazhdimin e bisedimeve / Foto: AA

Qeveria e Kosovës njoftoi sot se e pranon “planin e ri” të propozuar nga 5 emisarët ndërkombëtarë për Ballkanin si “kornizë për vazhdimin e diskutimeve”. Bashkimi Evropian tha të martën se u ka dorëzuar palëve një “propozim modern evropian për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, si draft për zbatimin e nenit 7 të Marrëveshjes së Ohrit, që ka të bëjë pikërisht me Asociacionin.

Qeveria e Kosovës, në një përgjigje për mediat lokale, thotë se kryeministri Kurti ka pranuar një takim me liderët e Gjermanisë, Francës, Italisë dhe Presidentes së Komisionit Evropian, në margjina të samitit të Këshillit Evropian, i cili do të mbahet nesër dhe pasnesër.

“Kryeministri Kurti ka shprehur dakordimin e tij që ky plan i ri të jetë korniza e vazhdimit të diskutimeve të mëtejshme me shtetet aleate, ShBA, Gjermani, Francë dhe Itali, e cila do të duhej të siguronte një komponent të fuqishëm të sigurisë dhe gjithashtu të fuqizonte perspektivën e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare”, thuhet në përgjigjen e Qeverisë.

Qeveria sqaron më tej se takimi do jetë në kuptim të diskutimeve të nisura me 5 emisarët gjatë vizitës së tyre në Prishtinë me datën 21 tetor, në të cilin ata propozuan një plan të ri që përfshinte një paketë më të plotë të zbatimit gjithëpërfshirës të Marrëveshjes Bazike bashkërisht me një draft të propozuar për zbatimin e nenit 7.

TRT Balkan / agjencitë