Kosova themelon Institutin që do të adresojë krimet e Serbisë gjatë luftës.     /Foto: Reuters Archive

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për të themeluar Institutin për adresimin e krimeve të Serbisë në luftën e viteve 1998-99 në Kosovë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë mbledhjes së Qeverisë ka thënë se Serbia duhet të mbahet përgjegjëse për krimet e kryera në luftën në Kosovë dhe themelimi i këtij instituti është në kuadër të angazhimit të Qeverisë për të matur dëmet e shkaktuar nga Serbia.

"Krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidi nuk janë të shkuara. Plagët e luftës janë të thella dhe ende të pranishme. Është e pafund dhimbja. Duke dokumentuar krimet dhe dëmet e luftës ne edhe e ndajmë dhimbjen, edhe e bëjmë më gjerësisht të njohur historinë tragjike të shqiptarëve të Kosovës në raport me Serbinë kriminale. Kjo vlen për ta ruajtur historinë dhe për ta kujtuar të shkuarën", theksoi Kurti.

Për këtë Institut, Kurti tha se ka emëruar Atdhe Hetemin në pozitën e drejtorit ekzekutiv i cili ka për detyrë që të propozojë planin dhe raportin vjetor të performancës së Institutit.

Tutje, Kurti tha se themelimi i këtij instituti është obligim moral "për të kujtuar gjithmonë sakrificën e popullit tonë".

"Plagët janë ende të njoma. Ato janë të hapura për mijëra familjarë të mbi 1.600 personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës. Po i japim prioritet ndriçimit të fatit dhe vendndodhjes së të zhdukurve. Gjatë këtij vitit janë kryer gërmime në 11 lokacione prej tyre 5 lokacione kanë rezultuar me gjetjen dhe zhvarrosjen e të paktën 6 viktimave të luftës, pa përfshirë rastet e fundit në Bishtazhin (Gjakovë) dhe Prizren", ka shtuar Kurti.

Veprimtarinë e saj ky Institut sipas Qeverisë së Kosovës do ta bazojë në parimin e ligjshmërisë, të pavarësisë dhe paanshmërisë, të transparencës, të mbrojtjes së të dhënave, parimin e mosdiskriminimit si dhe parimin e konfidencialitetit.

TRT Balkan / agjencitë