Prokurori i Shtetit në Kosovë ka ftuar kryeministrin Albin Kurti për paraqitje në Prokurorinë Speciale më 16 dhjetor.
Në dokumentin e publikuar nga zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës Përparim Kryeziu në Facebook thuhet se Prokurori i Shtetit bën thirrje për dëshmitarin Albin Kurti në objektin e Prokurorisë Speciale më 16 dhjetor 2024, në ora 09:30.
“Teksa kryeministri Kurti ndodhet në mbledhje të Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje! për ta përmbyllur listën e kandidatëve për deputetë nga koalicioni LVV, Guxo dhe Alternativa në zgjedhjet e vitit 2025, kryeministria më njoftoi se ka ardhur një thirrje për të nga Prokuroria Speciale. Në zgjedhjet e kaluara kishte një vendim gjyqësor i cili ia kishte pamundësuar kandidimin në garën zgjedhore të 14 shkurtit 2021, kurse tash përmes kësaj thirrjeje po tentohet ndikimi në rezultatin e zgjedhjeve të 2025. Qëllimi mbetet i njëjtë. Metoda ka ndryshuar. Kjo është ndërhyrje e sistemit të drejtësisë në proces zgjedhor”, ka shkruar Kryeziu.
Zgjedhjet parlamentare në Kosovë janë caktuar për t’u mbajtur më 9 shkurt të vitit të ardhshëm.