Kosovë, iniciohet themelimi i Muzeut të Gjenocidit dhe Përpjekjes për Liri            / Foto: AA

Qeveria e Kosovës i ka hapur rrugë themelimit të Muzeut të Gjenocidit dhe Përpjekjes për Liri duke miratuar një projektvendim për themelimin e këtij muzeu. Kabineti qeveritar i udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, miratoi këtë projektvendim që synon të kthejë ndërtesën e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Prishtinë, në një muze.

Kryeministri Kurti ka deklaruar se provat dhe dëshmitë e krimeve të kryera gjatë luftës po grumbullohen dhe po dërgohen në institucionet e Kosovës "për ruajtjen dhe mirëmbajtjen e kujtesës kolektive".

Ministri i Kulturës, i Rinisë dhe i Sportit, Hajrulla Çeku, në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë, tha se muzeu ka për synim paraqitjen e krimeve serbe në Kosovë.

"Muzeu i gjenocidit dhe përpjekjes për liri ka për synim dokumentimin dhe prezantimin e krimeve të ish-Jugosllavisë dhe Serbisë ndaj shqiptarëve dhe të tjerëve në Kosovë", theksoi Çeku.

Ai tha se muzeu fillimisht do të themelohet si njësi e veçantë në kuadër të Muzeut Kombëtar të Kosovës ndërsa do të ngrihet si institucion i veçantë muzeal kombëtar pas hyrjes në fuqi të Ligjit për muzetë që aktualisht është në proces të hartimit.

Ministri për Komunitete dhe Kthim nga radhët e komunitetit serb në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, ishte i vetmi që abstenoi në votimin e kësaj nisme.

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e fundit miratoi edhe projektligjin për prodhimin, kultivimin, grumbullimin, përpunimin, tregtimin dhe kontrollimin e duhanit, ku nëpërmjet këtij projektligji do të rregullohet edhe çështja e cigareve elektronike.

TRT Balkan / agjencitë
Kjo faqe përdor cookies. Duke vazhduar të shfletoni faqen, ju pranoni përdorimin e cookies.Politika e Cookies
Pranoj