Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministri për Komunitete dhe Kthim Nenad Rašić dhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal Elbert Krasniqi ka zhvilluar një takim në Prishtinë me nënkryetaren e Komunës së Mitrovicës së Veriut Katarina Ađančić, nënkryetaren e Komunës së Zveçanit Nataša Tomanić dhe nënkryetaren e Komunës së Leposaviqit Marina Bogojević.
Në këtë takim që vjen pas vizitës dhe takimeve të shumta në Berlin lidhur me anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, Kurti diskutoi me tre nënkryetaret e komunave mbi nevojat për shërbimet komunale që mund të ushtrohen të bashkërenduara në kuptim të lirisë së asociimit të komunave, njofton Zyra e Kryeministrit.
“Nënkryetaret Ađančić, Tomanić dhe Bogojević u shprehën se e shohin anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës si një hap të rëndësishëm për fuqizimin e komunave të tyre dhe se një qëndrim të tillë do ta përcjellin edhe në takime me përfaqësuesit diplomatik të shteteve të QUINT-it”, thuhet në njoftim.
Kurti, më tej, shprehu mirënjohjen e tij ndaj nënkryetareve të Mitrovicës së Veriut, Zveçanit dhe Leposaviqit për punën e tyre të përditshme dhe gaditshmërinë për t'u shërbyer qytetarëve.
Ky ishte takimi i dytë i zhvilluar në më pak se dy javë që kryeministri Kurti ka pasur me tre nënkryetaret e komunave veriore.