Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim Komandantin e Misionit të NATO-s në Kosovë (KFOR), Özkan Ulutaş.
Siç njofton Zyra e Kryeministrit, ky takim ishte në kuadrin e konsultimeve intensive dhe koordinimit të vazhdueshëm, derisa bëhet e ditur se gjatë takimit u diskutua rreth bashkëpunimit ndërmjet Qeverisë, institucioneve të sigurisë dhe misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR-it, në shërbim të ruajtjes së sigurisë dhe paqes në vend.
“Ndër temat qendrore ishte hapja e urës kryesore mbi Ibër në Mitrovicë si një gjë e drejtë, e nevojshme dhe e dobishme.
Kryeministri Kurti e njoftoi komandantin e KFOR-it mbi punët e përgjithshme që po zhvillohen në urën kryesore mbi lumin Ibër dhe rezultatet nga raporti preliminar i vlerësimit të qëndrueshmërisë së urës, të dorëzuar nga operatori ekonomik tek ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës. Në kuadër të hapave të nevojshëm të ndërmarrë nga Qeveria për hapjen e urës, ai rikujtoi dhe takimin publik me qytetarët e Mitrovicës së Veriut, të organizuar më 8 gusht nga komuna e Mitrovicës së Veriut, e ku të pranishëm ishin qytetarë nga komuniteti serb, organizata joqeveritare dhe përfaqësues nga niveli qendror e lokal, si dhe KFOR-i dhe EULEX-i”, thuhet në komunikatë.
Kryeministri u shpreh i bindur se liria e lëvizjes dhe sundimi i ligjit, paqja dhe siguria, janë të gjitha të mundura bashkë dhe të duhura.
Në këtë takim u diskutua dhe rreth ballafaqimit me zjarret në këto ditë të nxehta vere dhe ndihmës që KFOR-i do të mund të ofronte në shuarjen e tyre.
Kryeministri Kurti, që shoqërohej nga zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi dhe zëvendësdrejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Fehmi Hoti, e falënderoi komandantin e KFOR-it, Ulutaş për bashkëpunimin dhe komunikimin e rregullt.
Gjitashtu, KFOR-i së fundmi ka lëshuar një njoftim sqarues rreth çështjes së urës mbi lumin Ibër në Mitrovicë, ku bënë të ditur se ky mision mbanë një prani fikse në urën e Ibrit dhe kryen patrullime të rregullta në zonat përreth.
“Ne rikonfirmojmë se çdo vendim në lidhje me urën mbi lumin Ibër duhet të merret përmes dialogut politik dhe në mënyrë të koordinuar. Në këtë drejtim, ne vazhdojmë të mbështesim plotësisht dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”, thuhet në njoftimin e KFOR-it.
Tutje, ky mision bëri të ditur se është thelbësore që të gjithë aktorët të përmbahen nga deklaratat dhe veprimet e njëanshme që mund të krijojnë tension dhe “ky është çelësi për sigurinë e qëndrueshme në mbarë Kosovën, për të mirën e të gjithë njerëzve dhe komuniteteve, si dhe për stabilitetin rajonal”.