Kosovë, lansohet programi mbi 200 milionë euro në sektorin e energjisë       / Foto: AA

Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) dhe Qeveria e Kosovës kanë lansuar programin Kompakt, i cili synon që të mbështesë sigurinë energjetike, por edhe që Kosova të kalojë në energjinë e pastër.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Jeffrey Hovenier, është shprehur se programi e fuqizon Kosovën në sektorin e energjisë, duke shtuar se SHBA synon zgjerimin e investimeve private.

“Është e rëndësisë së madhe sepse këto marrëveshje financojnë programe për të mundësuar mjedise për investime në sektorin privat. Këtu kemi Kompaktin e MCC-së me 236 milionë, duke përfshirë 202 milionë dollarë nga Qeveria amerikane. Investimet tona substanciale e demonstrojnë zhvillimin e Kosovës”, theksoi Hovenier.

Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se ky program ndihmon në fuqizimin e vendit dhe se ai ndikon në transformimin e sektorit të energjisë në energji të pastër.

“Kompakti përveç një grant, është simbol i mbështetjes pa kompromis në marrëdhëniet strategjike mes shteteve tona. SHBA-ja ka mbështetur Kosovën në ditët më të vështira. Kompakti që po e lansojmë nuk është vetëm investim në energji, por është investim në të ardhmen dhe njerëzit e saj”, ka thënë Osmani.

Kryeministri Albin Kurti ka theksuar se programi është arritje e tranzicionit të energjisë në Kosovë.

“Programi e vendos Kosovën në ballë të zhvillimit të energjisë së ripërtëritshme. Përmes partnerit tonë, Kosova do të ketë së paku 350 megavatë/në orë rezerva, duke e bërë shtetin tonë ndër vendet që ruajnë më së shumti energji”, ka thënë Kurti.

Ndërsa, zv/presidenti i MCC-së, Cameron Alford, e ka vlerësuar të rëndësishëm për sigurinë e energjisë programin “Kompakt”. Ai ka shtuar se me program u ofrohen mundësi karriere të rinjve që duan të jenë në sektorin e energjisë.

Programi pritet të japë kontribut strategjik në përmirësimin e infrastrukturës energjetike, fuqizimin e sektorit privat, si dhe do t'i nxisë mundësitë ekonomike për qytetarët e Kosovës.

Programi Kompakt përbëhet prej dy projektesh dhe konsiderohet si investimi më i madh i Qeverisë amerikane në Kosovë.

MCC-ja mëton që me këtë program të ulë varfërinë në Kosovë përmes rritjes ekonomike, pasi vlerësohet se furnizimi jo i qëndrueshëm energjetik e pengon rritjen ekonomike. Granti pesëvjeçar parasheh 202 milionë dollarë mjete direkte nga Qeveria amerikane, ndërsa pjesa tjetër e investimeve do të mbulohet nga Qeveria e Kosovës.

TRT Balkan / agjencitë