Poeti i himnit kombëtar të Türkiyes, Mehmet Akif Ersoy, është përkujtuar me një manifestim të mbajtur në qytetin e Pejës.
Në programin "Ta kuptojmë dhe përkujtojmë Mehmet Akif Ersoyn" organizuar nga Fondacioni Turk Maarif (TMV) në sallën e Fakultetit Juridik të Universitetit "Haxhi Zeka" në Pejë, morën pjesë ambasadori i Türkiyes në Prishtinë Sabri Tunç Angılı, Konsulli i Përgjithshëm i Prizrenit Celal Doğan, Anëtari i Bordit të TMV-së Ahmet Türkben, Drejtori i Maar për Kosovë Mehmet Nedim Aslan, Zëvendësrektorja e Universitetit "Haxhi Zeka" Alma Shehu, si dhe Koordinatori i Institutit Yunus Emre, Ramazan Yılmaz, si dhe të ftuar tjerë.
Në fjalën e tij, ambasadori Angılı tha se ishte jashtëzakonisht domethënës dhe i vlefshëm organizimi i kësaj ngjarjeje në qytetin ku lindi Tahir Efendiu, babai i Mehmet Akif Ersoy.
Angılı tha se nuk është rastësi që Kosova është atdheu i Mehmet Akif Ersoy, poetit të Himnit Kombëtar, i cili mund të lexohet si fryma e Republikës së Türkiyes.
"Nuk është rastësi sepse Kosova dhe Türkiye, ose nëse e zgjeroni më shumë, Anadolli dhe Ballkani kanë qenë të lidhur ngushtë me njëri-tjetrin prej shekujsh. Ka pasur dy gjeografi që ushqehen nga njëra-tjetra si degë të ndryshme të një peme të vetme kulturore", tha ambasadori.
Anëtari i Bordit të TMV-së Türkben theksoi gjithashtu se ka figura të rëndësishme që janë një urë lidhëse midis gjeografisë së Ballkanit dhe Türkiyes.
"Ne po kujtojmë figurat dhe poetët tanë letrarë të vitit 1894 që ishin me origjinë ballkanike ose kishin udhëtuar në Ballkan, si Yahya Kemal dhe Mehmet Akif, të cilët e bënë edhe më të fortë këtë miqësi në fushën e letërsisë, veçanërisht me poezitë e tyre. I kujtojmë me të njëjtën dashuri", tha ai.
Zëvendësrektorja e Universitetit "Haxhi Zeka", Alma Shehu, po ashtu në fjalën e saj theksoi se Mehmet Akif Ersoy është një nga emrat më frymëzues dhe më të ndritur në historinë jo vetëm të Türkiyes, por edhe të Kosovës e më gjerë.
Përfaqësuesi i TMV-së në Kosovë, Aslan tha se e organizuan këtë ngjarje për të kuptuar dhe përkujtuar një personalitet të madh që shkroi epikën heroike të një kombi.
Pas fjalëve të hapjes, programi vazhdoi me shfaqjen e një filmi për jetën e Mehmet Akif Ersoyt dhe leximin e poezive të Ersoy nga poetët turk-kosovarë Zeynel Beksaç, İskender Muzbeg dhe Yunus Şimşek.
Programi përfundoi me organizimin e një paneli në të cilin folës ishin İbrahim Gültekin dhe Shasivar Kabashi.
Pas përfundimit të programit, të ftuarit vizituan edhe shtëpinë e babait të Ersoy, në fshatin Shushicë të Komunës së Istogut.
Mehmet Akif Ersoy, autori i Himnit Kombëtar, simboli i luftës së kombit turk për pavarësi, deputet, poet dhe mendimtar, lindi në Fatih më 20 dhjetor 1873, si bir i një familjeje të shpërngulur nga fshati Shushicë e Kosovës, për në Istanbul.