Kosovë, shënohet 80-vjetori i themelimit të Bibliotekës Kombëtare           / Foto: AA

Me një ceremoni është shënuar përvjetori i 80-të i themelimit të Bibliotekës Kombëtare të Kosvës “Pjetër Bogdani”.

Në këtë ceremoni morën pjesë kryeministri i Kosovës Albin Kurti, kryeparlamentari Glauk Konjufca, ministri i Kulturës, i Rinisë dhe i Sportit Hajrulla Çeku, arkitekti i objektit të bibliotekës Andrija Mutnjakoviq, zëvëndësdrejtori i Bibliotekës Kombëtare të Türkiyes Mehmet Demir, drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë Pirro Misha, përfaqësues të bibliotekës dhe të ftuar të tjerë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se mbështetja e Qeverisë së Kosovës ka qenë thelbësore në forcimin e Bibliotekës Kombëtare me krijimin e Qendrës së Digjitalizimit dhe pasurimin e koleksioneve me mbi 76 mijë njësi të reja librash.

Kurti tha se në muret e Bibliotekës Kombëtare jetojnë idetë, zërat dhe ëndrrat e brezave që kanë formësuar vetëdijen e popullit.

“Biblioteka nuk i var shpresat te drita në fund të tunelit. Ajo është pishtari që e mban udhëtari, duke ia ndriçuar rrugën përpara dhe situatën përreth. Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar që vit pas viti ta rrisë mbështetjen për fjalën e shkruar dhe për Bibliotekën Kombëtare e sidomos për librin dhe autorin”, theksoi Kurti.

Kurti tutje falënderoi për pjesëmarrje në këtë ceremoni edhe arkitektin kroat, akademik Andrija Mutnjakoviq, i cili është tani në moshën 95-vjeçare.

Në fjalën e tij, Mutnjakoviq tha se ndërtimi i bibliotekës, që filloi nga viti 1971, u bë nga një numër i madh kontribuesish për rreth 13 vjet, derisa u shpreh falënderues për besimin që iu dha në ndërtimin e një objekti të tillë me rëndësi për Kosovën.

“Falënderoj të gjithë që pas 40 vjetësh kjo librari është në mënyrën që projektova dhe për të cilën jetova dhe jam shumë falënderues ndaj të gjithë juve që e keni mbajtur në këtë gjendje”, tha Mutnjakoviq.

Biblioteka Kombëtare e Kosovës, njëra nga ndërtesat me arkitekturën më të veçantë në Kosovë, e ndërtuar në ish-Jugosllavi, ka qenë për një kohë të gjatë për komunitetin shqiptar në këtë rajon me rëndësi të veçantë. Ajo njihet për historinë e saj unike dhe stili i saj që reflekton një shprehje autentike arkitekturore kombëtare.

Biblioteka e parë publike qendrore është themeluar në Prizren në vitin 1944, në muajin dhjetor. Gjatë këtyre viteve, ajo ka kaluar në disa faza zhvillimi dhe ka ndryshuar disa herë emrin.

TRT Balkan / agjencitë