Kurti dhe Vuçiq brenda prillit takohen në Bruksel.     /Foto: Zyra e Kryeministrit të Kosovës

Gjatë muajit prill në Bruksel pritet të realizohet takim i radhës mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq. Kryeministri Kurti, duke e komentuar takimin e 4 prillit në nivel kryenegociatorësh në Bruksel, mes Besnik Bislmit dhe homologut të tij serb Petar Petkoviç, tha se dakordimi për deklaratën për të zhdukur në tekstin e saj do t’u referohen si "të zhdukur me dhunë”.

Këto komente Kurti i bëri pas pjesëmarrjes së tij në konferencën “Strategjia e e-Qeverisjes në funksion të përmirësimit të ofrimit të shërbimeve publike”, të organizuar nga Ministria e Punëve të Brendshme.

“Formulimi është ata që janë të zhdukur me dhunë dhe kështu është termi i cili është dhe ndodhet në përmbajtjen e marrëveshjes. Pra, edhe atëherë kur do të deklarohet, do të thuhet përsonat e pagjetur të zhdukur që mungojnë gjithmonë bëhet fjalë për të zhdukurit me dhunë”, tha ai.

Sa i takon draftit të Statusit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, shefi i ekzekutivit kosovar tha se fillimisht do t’i analizojnë rezultatet e takimit të zhvilluar në Bruksel, gjatë kësaj jave.

“Ne do të analizojmë me zëvendëskryeministrin Bislimi rezultatet nga takimi i zhvilluar në Bruksel dhe mandej do të përcaktojmë një ecje përpara për muajin prill, brenda të cilit do të ketë edhe një takim të nivelit të lartë. Theksoj se duhet të zbatohet e gjithë marrëveshja dhe, në kuadër të marrëveshjes, kemi një nen që është i 10 dhe është për zbatimin e marrëveshjeve të mëhershme, por si një çështje urgjente është çështja e të pagjeturve”, tha ai.

Zëvendëskryeministri për dialog i Kosovës Besnik Bislimi dhe kryenegociatori serb Petar Petkoviq të martën, nën ndërmjetësimin e përfaqësuesit të posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, zhvilluan takimin e radhës në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

TRT Balkan / agjencitë