Kurti e Vuçiq udhëtojnë drejt Brukselit.     /Foto: Reuters

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell i ka thirrur liderët e Serbisë dhe Kosovës për një takim urgjent me qëllim gjetjen e rrugës për daljen nga kriza aktuale.

Prezencën në Bruksel dhe takimin me Borrelin mbrëmë e konfirmoi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i cili shkroi se në këtë takim do të insistojë në lirimin pa kushte të policisëve kosovarë të rrëmbyer nga Serbia më 14 qershor.

“Nesër do të udhëtoj nga Roma për në Bruksel, duke konfirmuar pjesëmarrjen time në dialogun e nivelit të lartë të thirrur nga përfaqësuesi i lartë Borrell. Do të insistoj në lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të tre policëve [të Kosovës] që po mbahen peng nga Serbia, shtensionimin e situatës dhe normalizimin e raporteve”, shkroi Kurti në Twitter.

Udhëtimin e sotëm drejt Brukselit ka konfirmuar edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili deklaroi se do të takohet me Borrellin, por jo edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti për të cilin tha se “s’ka çfarë të bisedojë”.

“Ai mban predikime për Enver Hoxhën, Adem Demaqin, Marksin, për çështjet e brendshme politike në Serbinë qendrore... Unë do të shkoj në Bruksel të flas me Borellin një orë, dy deri në dhjetë, nuk kam punë me Kurtin”, tha Vuçiq.

Rikthimi i tensioneve në veri të Kosovës është aktualizuar pasi kryetarët e rinj të katër komunave të zgjedhur më 23 prill në zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale janë futur në ndërtesat komunale.

TRT Balkan