Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Kosova është e interesuar të zbatohet në tërësi marrëveshja me Serbinë dhe jo vetëm neni shtatë i saj. Një ditë pas takimit të kryenegociatorëve të dialogut në Bruksel, Kurti theksoi se formimi i Asociacionit është pjesë e marrëveshjes me Serbinë, por nuk është vetë marrëveshja, duke shtuar se duan një plan të zbatimit, i cili është i hollësishëm, konkret, i balancuar dhe gjithëpërfshirës.
Ndërkaq, Kurti tha se ende janë në pritje të qëndrimit të Bashkimit Evropian sa i përket denoncimit të bërë nga pala kosovare për shkeljet e marrëveshjes që i ka bërë Serbia.
“Deri më sot nga ndërmjetësit nuk kemi një qëndrim sa i përket denoncimit tonë për shkeljet e Serbisë. Ne jemi të interesuar për zbatim të plotë të menjëhershëm të marrëveshjes, pa kushte dhe pa vonesa...(Serbia), ajo dëshiron që ne të përqendrohemi vetëm dhe vetëm te neni shtatë. Natyrisht se neni shtatë është pjesë e marrëveshjes, por marrëveshja nuk është vetëm neni shtatë”, tha kryeministri Albin Kurti, para mediave pas themelimit të Shoqatës së miqësisë Kosovë-Austri.
Ai shtoi se kanë vërejtje për propozimin e ndërmjetësit të dialogut, Mirosllav Lajçak, për sekuencimin e zbatimit të marrëveshjes.