Kurti kandidati më i votuar për kryeministër në zgjedhjet e Kosovës                     Foto: AA

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka publikuar numrin e votave që kanë fituar kandidatët për deputetë të Kuvendit të Kosovës në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025, pas numërimit të mbi 90 për qind të votave në vendvotime.

Sipas rezultateve të deritanishme, pa numërimin e votave me kusht, votave të personave me nevoja të veçanta dhe votave nga jashtë Kosovës, nga kandidtatët për kryeministër, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti është më i votuari me 259.532 vota të grumbulluara.

Pas Kurtit, i cili aktualisht është kryeministër në detyrë, kandidati i dytë më i votuar është Bedri Hamza nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 150.294 vota, ndërsa kryetari i kësaj partie, Memli Krasniqi, mori 85.293 vota.

Kandidati i tretë më i votuar për kryeministër në zgjedhjet e 9 shkurtit është Lumir Abdixhiku, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), me 109.202 vota.

Ramush Haradinaj, lider i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe kandidat për kryeministër, mori 37.752 vota.

Lideri i partisë më të madhe serbe në Kosovë, Listës Serbe, Zllatan Ellek, mori 9.354 vota.

Personi më i votuar në zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë vazhdon të mbetet presidentja aktuale e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila në zgjedhjet e vitit 2021, siguroi 300.756 vota.

Partia e udhëhequr nga kryeministri në detyrë Kurti, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), ka dalë e para në këto zgjedhje, me 40,80 për qind të votave, e pasuar nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 22,03 për qind të votave, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 17,63 për qind të votave, koalicioni mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nismës Socialdemokrate ka marrë 7,46 për qind të votave, si dhe Lista Serbe 4,61 për qind të votave.

Gjatë ditës së sotme, KQZ-ja bëri të ditur se ka numëruar 92,73 për qind edhe të votave për kandidatët për deputetë. Me rezultatet preliminare, LVV-ja ka siguruar 47 ulëse në Kuvendin e Kosovës, PDK-ja ka marrë 25 ulëse, LDK-ja 20 ulëse, ndërsa AAK-ja dhe NISMA tetë.

Minoritetet kanë gjithsej 20 vende të rezervuara, prej tyre dhjetë për minoritetin serb dhe dhjetë për minoritetet joserbe në Kosovë.

TRT Balkan / agjencitë