Në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, Kurti theksoi se kërkesa e cila po shtyhet si kushtëzim për anëtarësim të Kosovës në Këshillin e Evropës, sipas tij jo vetëm që nuk është parimore dhe me vlerë, por ajo tashmë është refuzuar tri herë nga vetë instancat e KiE-së.
“Kërkesa e cila po shtyhet si kushtëzim për anëtarësim të Kosovës në Këshillin e Evropës jo vetëm që nuk është parimore dhe vlerore por ajo tashmë është refuzuar tri herë nga vetë instancat e Këshillit të Evropë. Pengesat për anëtarësim në këtë organizatë i mendonim nga shtete të cilat deri më tani nuk e kanë njohur republikën e Kosovës. Por, assesi dhe asnjëherë nuk e mendonim që pengesë do të bëheshin shtete demokratike të cilat kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë përkrahëse të Kosovës për zhvillime demokratizim”, tha Kurti.
Kurti e quan absurde kërkesën e Francës dhe të Gjermanisë që drafstatuti i Bashkimit Evropian për Asociacionin të dërgohet për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese, si kusht për anëtarësim në KiE.
Ndër të tjerash, kryeministri Kurti tha se Kosova ka ofruar që ky dokument të bëhet pjesë e pakos së marrëveshjes bazike të Brukselit dhe pjesë e aneksit të zbatimit Ohrit, porse potencoi se është refuzuar nga Serbia.
Ai tha se nuk pritej që pengesë për anëtarësimin e Kosovës në KiE të bëheshin shtete demokratike të cilat kanë qenë dhe vazhdojnë të jetë përkrahëse të shtetit tonë për zhvillim e demokratizim.
Kurti tha edhe se Kosova do anëtarësim meritor, sepse konsideron se e meriton anëtarësimin.
Ndërkaq, Gjermania dhe Franca të hënën kanë thënë se procedimi i drafstatutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe për interpretim në Gjykatën Kushtetuese do të ishte sinjal i mjaftueshëm për ta siguruar mbështetjen në vendimmarrjen finale të Këshillit të Evropës këtë muaj.
Derisa shteti më i fuqishëm brenda KiE-së, Britania e Madhe, i ka ofruar Kosovës mbështetje pa kushte shtesë për anëtarësim në këtë organizatë.
Mbledhja e radhës e ministrave të Jashtëm të KiE-së do të bëhet më 16-17 maj ku edhe do të vendoset përfundimisht nëse Kosova do të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës.