Kurti: Kryetarët e zgjedhur në Veri të Kosovës kanë mbështetjen e plotë / Photo: AA

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se kryetarët e zgjedhur nga zgjedhjet e 23 prillit në veri të Mitrovicës, përkundër daljes së ulët në zgjedhje për shkak të bojkotit të diktuar dhe të detyruar mbi serbët e Kosovës, megjithatë janë të vetmit që kanë çfarëdo legjitimiteti të jenë në ndërtesa të komunave, dhe në shërbim të qytetarëve.

"Ata kanë mbështetjen tonë të plotë, të pakushtëzuar dhe të pandërprerë", ka shkruar Kurti në rrjetin social Facebook.

Demokracia, sipas tij, nuk mund të suspendohet, e as të mbahet peng, ndërsa ushtrimi i demokracisë është garanci e paqes dhe e sigurisë, assesi kërcënim ose rrezikim.

"Republika e Kosovës është vendi më demokratik në Ballkanin Perëndimor. Me institucione qeverisëse dhe të sigurisë të cilat trajnimet profesionale dhe orientimin vleror e kanë nga dhe kah shoqëritë perëndimore", tha Kurti duke shtuar se: "dje u dëshmua përfundimisht dhe të gjithëve se kë kemi përballë: grupe të së djathtës ekstreme me maska, që vandalizojnë, sulmojnë, djegin çdo gjë që nuk e konsiderojnë serbe, e që lartësojnë simbole nacionaliste dhe shoviniste, si kryqi me katër S-ja dhe Z-ja e agresionit rus në Ukrainë".

Sipas Kurtit, ekstremistët dhe milicët kanë emra të veçantë.

"Ata nuk janë populli. Komuniteti serb duhet të çlirohet prej tyre. Ne i kemi identifikuar shumicën e tyre dje dhe sot. Nuk mund të ketë individë e as grupe mbi ligjin e më të fuqishëm se shteti", shkruan Kurti.

Të tillë sipas Kurtit janë kriminelët multimilionerë si Milan Radojçiq e Zvonko Veselinoviq.

"Ata janë pronarë të mëdhenj të bizneseve e të kontrabandës, që i kushtëzojnë punëtorët e varfër të tyre, të dalin në protesta të dhunshme. Në fakt, kjo është mënyra e vetë shefave të tyre urdhërdhënës në Beograd ndaj administratës publike: mënyra e Aleksandar Vuçiq, Aleksandar Vulin dhe Ivica Daçiq", vazhdon Kurti.

Ai madje mendon se në mesin e protestuesve ka pasur edhe protestues paqësorë, ndonëse protestat dje e sot nuk ishin paqësore.

"Një protestë që sulmon policinë e cila e ruan rendin dhe zbaton ligjin, pjesëtarët e KFOR-it që e ruajnë qetësinë dhe stabilitetin, dhe gazetarët të cilët raportojnë mbi ngjarjet nga terreni nuk janë protestë për komunën, por për pushtet. Në Kosovë, pushteti mund të merret vetëm nëpërmjet zgjedhjeve. Jo me dhunë dhe krim", thotë Kurti.

Më tej, Kurti kujtoi se policia e Kosovës dhe KFOR-i atje janë kufiri ndërmjet ekstremistëve të dhunshëm dhe institucioneve paqësore.

"Orëve të fundit, institucionet tona kanë shtuar edhe më shumë komunikimin me partnerët ndërkombëtarë, sepse qetësimin e situatës e kemi qëllim të përbashkët. Por, përveç shqetësimeve dhe brengave, dje na u dëshmua para syve se edhe kërcënimet dhe rreziqet i kemi të përbashkëta", nënvizoi Kurti.

Në fund, kryeministri Kurti uroj për dhjetëra të lënduarit shërim të plotë dhe të shpejtë, ndërkohë falënderoi kryetarët e posazgjedhur, policinë dhe KFOR-in për detyrat e kryera dhe profesionalizmin e lartë.

"Falënderoj kryetarët e komunave që përkundër vështirësive kanë shfaqur vullnetin e sinqertë për t’u shërbyer qytetarëve i cili dëshmohet edhe në këto situata. Falënderoj policët e Kosovës, që përkundër tensioneve dhe sulmeve kanë kryer detyrat e tyre me profesionalizmin më të lartë. Falënderoj pjesëtarët e KFOR-it që, përkundër synimeve të huaja për destablizim, po ruajnë paqen dhe sigurinë. Falënderoj gazetarët dhe mediat që, përkundër rreziqeve dhe pasigurisë, na sollën me zë dhe figurë fytyrën e vërtetë të protestave të milicëve të dhunshëm. Falënderoj veçanërisht qytetarët e Republikës sonë për mirëbesimin dhe mbështetjen", përfundoi Kurti.

TRT Balkan / agjencitë