Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka dhënë detaje të reja për takimin e fundit në Bruksel.
Ai e ka quajtur të pavërtetë publikimin e një dokumenti të BE-së ku thuhet se Kurti e refuzoi planin e sekuencimit të zbatimit të marrëveshjes ndërkaq Vuçiq e pranoi.
Kurti vazhdoi kritikat ndaj ndërmjetësve të dialogut Josep Borrell dhe Mirosllav Lajçak të cilët sipas tij e ekspozuan përballë një skenari që e kishin dizajnuar më herët për ta vënë në qendër themelimin e Asociacionit në kuadër të marrëveshjes bazë dhe moszbatimin e pjesës tjetër të ujdisë.
Këtë Kurti tha se e ka refuzuar kategorikisht duke ofruar plan konkret për zbatim të sekuencuar të marrëveshjes mbi bazën e parimit të gjithëpërfshirës.
"Ofrova propozim konkret për zbatim të plotë të marrëveshjes bazike mbi parimin e gjithëpërfshirjes, ku zbatohet secili nen i kësaj marrëveshjeje. Por, mua në takim m’u kërkua që të kalojmë në një proces negocimi për hartimin e statutit të Asociacionit, por unë iu bëra të qartë përfaqësuesve evropianë se duhet zbatim i plotë i tërë marrëveshjes dhe jo fokus në një pikë", tha Kurti në konferencë për medie. .
Ai theksoi se emisari special evropian (Mirosllav Lajçak) ka pasur një koordinim me presidentin e Serbisë. “Ne kemi besuar që kompromiset që i formësonte Lajçaku, janë dy lloje propozimesh, të Kosovës dhe të Serbisë, por po del që kanë qenë vetëm deformime të propozimeve tona, sepse Serbia nuk ka dhënë propozime asnjëherë. Serbia vetëm në fillim të vitit ka lëshuar një dokument kushtëzues, (ku thuhet) së pari Asociacioni, që është vija e kuqe e Serbisë dhe nuk është marrë me këtë punë”, tha ai.
Për ditët në vijim kreu u Qeverisë së Kosovës tha se do të ketë takime me të gjithë faktorët ndërkombëtarë, të cilët e kanë pranuar shtetin e Kosovës dhe të cilët duan të na ndihmojnë e të na përkrahin edhe sa i përket shtetndërtimit demokratik, edhe sa i përket zhvillimit socio-ekonomik, por edhe sa u përket njohjeve ndërkombëtare, e në veçanti normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, e cila tashmë e ka zgjidhjen – është marrëveshja bazike e njohjes së ndërsjellë të palëve