Kurti: Mbi 9 mijë të rinj të punësuar në platformën “Superpuna”. / Photo: AA

Më shumë se 9 mijë të rinj janë punësuar në kuadër të platformës “Superpuna”, të lansuar vitin e kaluar nga Qeveria e Kosovës.

Në një konferencë të përbashkët për media të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe ministrit të Financave, të Punës dhe të Transfereve, Hekuran Murati, u bë e ditur se qeveria do ta zgjerojë këtë platformë edhe për grupmosha të reja.

“Platforma 'Superpuna' ka pasur një sukses të jashtëzakonshëm duke arritur që vetëm brenda një viti të bëjë ndërmjetësimin e suksesshëm të punësimit të 9.394 të rejave dhe të rinjve”, tha Kurti.

Murati, nga ana tjetër, theksoi se synimi ka qenë që të punësohen 10 mijë të rinj e të reja dhe kjo do të arrihet sapo të bëhen të qarta edhe statistikat e muajit janar 2024, dhe se zgjerimi i kësaj platforme do të bëhet në mënyrë që edhe të rinjtë nga 25 deri 29 vjeç të mund të kërkojnë dhe gjejnë vende pune.

“Duke parë suksesin për grupmoshën e parë, ka qenë e pashmangshme të vendosim për zgjerimin e grupmoshës, që këtë shans t’ua japim edhe atyre që kanë mbushur më shumë se 25 vjeç, por fillimisht ka qenë ideja që ta fillojmë me një moshë më të ngushtë në mënyrë që të shohim se ku mund të ketë ngecje, çalime gjatë procesit dhe cilat sfida mund të na dalin. Jemi munduar që gjatë gjithë kësaj kohe t’i përmirësojmë sfidat që kemi pasur”, tha Murati.

Murati gjihashtu shtoi se janë rreth 10 mijë biznese në Kosovë të cilat janë regjistruar deri më tani në platformën “Superpuna”, të cilat kanë listuar vende pune dhe janë të gatshëm të pranojnë të rinj përmes kësaj platforme.

TRT Balkan / agjencitë