Kurti: Më 2 maj në Bruksel të trajtohet me urgjencë çështja e të pagjeturve.     /Foto: AA

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha se pret që më 2 maj, kur planifikohet të mbahet takimi i tij me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian (BE), të trajtohet me urgjencë çështja e të pagjeturve që nga lufta e fundit në Kosovë 1998-1999.

Për nder të 27 prillit – Ditës Kombëtare të Personave të Pagjetur, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se në pesë varreza masive në Serbi janë eks-humuar deri më tani rreth 950 kufoma por, janë edhe mbi 1.600 që figurojnë ende të zhdukur. Me këtë rast kryeministri kosovar tha se "Kemi nevojë për drejtësi, për përgjegjësi dhe që kriminelët, fajtorët ose ekzekutorët e urdhërdhënësit të ndodhen prapa grilave".

Ai tha se muajin e ardhshëm bëhen katër vjet prej se Kuvendi i Kosovës ka mundësuar përndjekjen, akuzën, gjykimin dhe dënimin në mungesë dhe nuk ka ditë më të duhur se 27 prilli për t'i bërë thirrje Prokurorisë së Shtetit që mijëra dëshmitë për krime lufte të cilat janë në Kosovë, të shndërrohen në aktakuza për përgjegjësit.

"Unë pres që me urgjencë të trajtohet në takimin e 2 majit çështja e të pagjeturve, e cila nuk i ka viktimë vetëm të pagjeturit dhe familjet e tyre, por mbarë popullin tonë, meqenëse pikërisht të pagjeturit janë një situatë e veçantë ku ankthi është edhe më i madh sesa pikëllimi, ku zemërimi është edhe më i madh se sa vajtimi. Andaj, pres që më 2 maj, nga lehtësuesit evropianë siç e kemi thënë në Ohër më 18 mars, ta trajtojnë me urgjencë këtë çështje", theksoi Kurti.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, tha se sot po përkujtojnë të gjithë të zhdukurit me dhunë nga Serbia.

Konjufca tha se njëri ndër krimet më të tmerrshme të gjenocidit të Serbisë ishte rrëmbimi dhe zhdukja me dhunë e mijëra qytetarëve shqiptarë nga ana e aparatit shtetëror, ushtarak dhe policor të Serbisë.

"Edhe sot e kësaj dite, shumë prej tyre, mbi 1.600 mbeten ende të pagjetur, jo pse nuk e dimë ku janë, e dimë saktë, e dimë edhe përgjegjësin për këta të rrëmbyer e të zhdukur me dhunë: është shteti i Serbisë. Me vetë faktin që shumë prej atyre të cilët u gjetën, u gjetën pikërisht në institucione të cilat i ndërtoi vetë Serbia, siç ishte rasti i poligonit ushtarak, që tregon se Serbia e di saktë ku ndodhen ata", theksoi Konjufca.

Përfaqësuesi i familjarëve të personave të zhdukur në luftë, Bajram Qerkini, tha se institucionet nuk kanë bërë sa duhet për zbardhjen e fatit të të pagjeturve të luftës së fundit në Kosovë.

"Është dashur gjithkund të jetë numër një çështja e personave të pagjetur ngase po kërkojmë njerëz, po kërkojmë fëmijë. Edhe 132 fëmijë janë të pagjetur. Merreni me mend tash ato nëna, djepat zbrazur. Merreni me mend ato nëna çfarë mendojnë dhe ne jemi të gjithë nëna. Në Republikën e Kosovës ka shumë nëna që as flenë, sikurse nuk fle as gruaja ime. Ajo natën bërtet 'erdh djali', i them fli se nuk ka ardhur dhe ajo thotë 'për Zotin po i dëgjoj shkallët'. Të gjitha nënat e kanë këtë dhimbje", thekson Qerkini.

Në aneksin e zbatimit të Marrëveshjes për normalizim raportesh, që u dakordua në Ohër më 18 mars në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është thënë që deklarata për personat e zhdukur duhet të miratohet si çështje urgjente.

TRT Balkan / agjencitë