Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot priti në takim Drejtorin e CIA-s, William Burns, njoftojnë nga Qeveria e Kosovës.
Kjo vizitë siç thonë nga kryeministria, përfaqëson një moment të rëndësishëm historik në marrëdhëniet bilaterale Kosovë – ShBA, ku u theksua përkushtimi i Qeverisë dhe institucioneve të sigurisë dhe inteligjencës së Kosovës, me në krye AKI-në, për të avancuar bashkëpunimin me CIA-n.
“Vizita historike e Drejtorit të CIA-s, z. William Burns, në Kosovë, vlerësohet lartë nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Ajo është dëshmi e marrëdhënieve të forta dhe të qëndrueshme midis dy shteteve dhe është një mundësi e artë për të thelluar bashkëpunimin strategjik, për paqen dhe sigurinë në rajon dhe më gjerë”, thuhet në njoftimin e kryeministrisë.
Nga atje thonë se gjatë këtij takimi Kryeministri Kurti e falënderoi Drejtorin e CIA-s për mbështetjen e vazhdueshme dhe shprehu përkushtimin për thellimin e bashkëpunimit në fushat me interes të përbashkët, duke e njoftuar atë që vlerat amerikane, që ndërlidhen me demokracinë, sundimin e rendit dhe ligjit dhe orientimet e palëkundura Euroatlantike, do të mbeten shtyllat qendrore të qeverisjes së mirë e demokratike në Kosovë.
Kryeministri Kurti e njoftoi Drejtorin Burns me rritjen dhe zhvillimin ekonomik si dhe progresin shoqëror e demokratik të Kosovës, duke theksuar që të gjitha sfidat e brendshme të sigurisë po menaxhohen suksesshëm me forcën e ligjit të drejtë të shtetit tonë demokratik. Në këto tri vitet e fundit, ai shtoi që Bruto Produkti Vendor i Kosovës është rritur për 33 për qind kurse buxheti shtetëror për 35 për qind, me ç’rast 11,1 për qind (apo 1/9) e buxhetit vjetor i dedikohet ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Ministrisë së Mbrojtjes.
Kreu i CIA-s gjatë qëndrimit në Kosovë zhvilloi takim edhe me presidenten Vjosa Osmani dhe shefin e Agjencisë së Inteligjencës të Kosovës.
Vizita e shefit të CIA-s në Kosovë vjen pas vizitave që ai zhvilloi në Bosnjë e Hercegovinë dhe në Serbi.
Më 20 gusht në Sarajevë Burns takoi drejtorin e Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Bosnjë e Hercegovinës, Almir Xhuvo dhe me anëtarët e Presidencës së Bosnjës.