Kurti: Ndërkombëtarët t’i bëjnë trysni Beogradit për fatin e të zhdukurve/   Foto: Kosovapress

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur me dhunë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me nënkryetaren e Kuvendit Saranda Bogujevci, kryediplomaten Donika Gërvalla dhe familjarë të të zhdukurve bënë homazhe pranë përmendores dedikuar personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë. Këta të fundit thanë se si familjarë janë shumë të zhgënjyer me institucionet vendor dhe ndërkombëtare.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se ankthi i familjeve të personave të zhdukur vazhdon të jetë i madh, porse qëndrueshmëria e tyre është e lartë.

Ai tregoi se kanë filluar gërmimet në Kozhle të Serbisë dhe në 13 lokacione të Kosovës për të parë nëse mund të zbardhet fati i këtyre personave.

Kurti ritheksoi thirrjen e tij ndaj faktorëve ndërkombëtarë që të bëjnë trysni mbi Beogradin për të ndërruar vendimin që arkiva e Brigadës së motorizuar të ushtrisë jugosllave të hapet.

Sipas tij, në këtë arkivë është e vërteta sepse kjo brigadë ka kryer një numër të madh të masakrave në Kosovë.

Ndërkaq, kryetari i Shoqatës "Zëri i Prindërve", Bajram Qerkini u shpreh i zhgënjyer me institucionet vendore dhe ato ndërkombëtare me atë se çfarë është bërë për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur.

Sot në Ditën Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur, kur janë bërë 22 vjet nga përfundimi i luftës në Kosovë, zyrtarisht edhe mbi 1600 persona figurojnë si të zhdukur.

Pas përfundimit të luftës në Kosovë, në vitin 1999, të zhdukur kanë qenë rreth 6.500 persona. Që nga ajo kohë janë kryer disa zhvarrime në varreza masive në Kosovë dhe Serbi dhe deri më tash janë gjetur rreth 70 për qind e të zhdukurve.

Gërmimet e fundit janë bërë në muajin maj, në varrezën masive në Kizhevak të Rashkës në Serbi, ku janë gjetur mbetjet mortore të nëntë kosovarëve, të vrarë gjatës luftës.

TRT Balkan / agjencitë