Angazhimi i Qeverisë për adresimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë dhe nismat për drejtësi tranzicionale ishin tema të takimit të Kryeministrit Albin Kurti me Fabian Savioli, Raportues Special i Kombeve të Bashkuara për promovimin e së vërtetës, drejtësisë, reparacioneve dhe garantimit të mospërsëritjes.
Savioli, siç informoi zyra e Kryeministrit, shprehu mirënjohjen për bashkëpunimin e treguar nga Qeveria dhe institucionet e Republikës së Kosovës dhe shprehu solidaritetin me viktimat dhe popullin e Kosovës.
Ndërsa, Kurti theksoi përkushtimin e Qeverisë për ballafaqim me të kaluarën dhe për drejtësi.
Ai tha se duhet të ketë rehabilitim dhe rivendosje të drejtësisë për viktimat e të mbijetuarat/it, pasi është shumë e vështirë për familjet të vazhdojnë të jetojnë normalisht përkundër humbjeve dhe vuajtjeve të tyre.
“Ai veçoi disa nga nismat e Qeverisë së Republikës së Kosovës, si ajo për themelimin e Institutit për krimet e kryera gjatë luftës, hartimin e Strategjisë Kombëtare për Drejtësi Tranzicionale, si dhe fuqizimin e Departamentit të Krimeve të Luftës në Prokurorinë Speciale të Kosovës. Po ashtu, foli edhe për ndryshimet e bëra në Kodin e Procedurës Penale të cilat mundësojnë gjykimin në mungesë për raste të krimeve të luftës, duke qenë se shumica e kryerësve të krimeve të luftës në Kosovë ndodhen në Serbi, dhe Serbia refuzon t'i dorëzojë ata para drejtësisë”, thuhet në komunikatën e Qeverisë.
Tutje, Kurti theksoi çështjen e të zhdukurve me dhunë gjatë luftës dhe familjet që jetojnë në dhembje e ankth, duke mos ditur për fatin e vendndodhjen e të dashurve të tyre.
Ai ritheksoi domosdoshmërinë e hapjes së arkivave shtetërore në Serbi, pasi krimet e kryera në Kosovë, ishin krime të kryera nga shteti i Serbisë.