Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka arsyetuar sot para Kuvendit të Kosovës marrëveshjen e arritur dje në Bruksel me Serbinë, lidhur me targat ilegale në veri të Kosovës.
Kryeministri tha se nuk mund të japë shumë detaje për procesin për shkak të konfidencialitetit të bisedimeve. Megjithatë me dakordimin e bërë publike mbrëmë, nuk është cenuar kurrfarë substance e shtetit të Kosovës, sipas kryeministrit Kurti.
“Është e vërtetë se po bëhet fjalë për një pjesë të vendit tonë për Veriun, por po bëhet po ashtu fjalë edhe për një pjese të Serbisë për qendrën për regjistrimin e automjeteve në Rashkë. A është koncesion, po mund të shihet edhe si koncesion. Por, unë besoj se dobia ka qenë shumë e madhe dhe nuk kemi cenuar kurrfarë substance, për besë nuk kemi cenuar kurrfarë substance të vendit tonë, do të cenohej substanca shumë më tepër me thënë 10-12 muaj, se u dogjën gjashtë vetura”, tha kryeministri Kurti.
Sipas tij, Serbia është zotuar se nuk do të lëshojë më tabela për veturat e serbëve të Kosovës. Kështu që, për një kohë, sipas Kurtit, do të skadojnë tabelat ilegale që tani përdoren.
“Janë më pak se 200 automjete në Kosovë me shoferë e pronarë serbë që i kanë tabelat ilegale e të cilat janë regjistruar sivjet, krejt janë më të vjetra se sivjet, atyre të gjithave do t’u dalë regjistrimi, nuk ka më regjistrim”, tha Kurti.
Opozita pro anulimit të vendimit për targat, por me kritika
Opozita ishte kritike ndaj kryeministrit Kurti për rritjen e tensioneve në veri. Sipas kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqi, për marrëveshjen që ka arritur mbrëmë, Kurti nuk ka pasur nevojë të shkojë në Bruksel, por vetëm të shfuqizojë vendimin e tij.
“Për të ndryshuar atë vendim, nuk ke pasur nevojë të shkoni të diskutoni me Vuçiqin, as ti e as Bislimi me Petkoviqin. Ka qenë e thjeshtë, ke mundur me vullnetin e mirë të diskutosh me amerikanët siç kanë kërkuar dhe sot e kishe pasur një situatë më normale në Veri, e tash nuk mund ta kthesh as atë normalitet”, ka thënë Krasniqi.
Ndërsa kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha se me marrëveshjen e arritur në Bruksel, është shmangur rreziku që të ketë viktima në veri të Kosovës.
“Me marrëveshjen e djeshme për tabelat e kemi evituar rrezikun e parë, pra që të kemi viktima. Qofshin këta policë të Kosovës ose qytetarë serbë të veriut. Mirëpo, dje me marrëveshje nuk është zgjidhur situata në veri”, tha Haradinaj.