Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili po qëndron në Greqi për vizitë zyrtare, ka marrë pjesë në panelin diskutues të organizuar nga "The Economist" me temën "Thellimi i Solidaritetit: Si mundet Evropa të dalë më e fuqishme nga trazirat aktuale gjeopolitike?". Siç njofton Zyra e Kryeministrit, Kurti në fjalën e tij tha se momenti aktual kërkon mbështetje të palëkundur për demokracinë dhe mbrojtësit e saj. "Ne duhet të bashkohemi, si forca që kundërshton elementet destabilizuese që përbëjnë një kërcënim të madh për demokracinë", tha ai.
Kurti prezantoi para të pranishmëve disa nga çështjet aktuale në Kosovë përfshirë edhe sukseset e vendit sipas organizatave ndërkombëtare. "Demokracia është një realitet konkret për ne, por po ashtu janë edhe kërcënimet e paraqitura nga autokracitë, kryesisht Serbia, e ndihmuar dukshëm nga aleanca e saj me Putinin", theksoi Kurti.
Ai në këtë panel përmendi edhe sulmin që u bë njësiteve policore në veri të Kosovës nga një grup prej mbi 80 personash të armatosur rëndë.
"Kërcënimi i vendeve autoritare për Evropën nuk është thjesht ideologjik dhe ne duhet ta trajtojmë atë si të tillë. Fqinji ynë verior vazhdon ngritjen e tij ushtarake, madje duke marrë furnizime nga burime të reja, duke përfshirë një dërgesë të fundit nga Kina. Koha aktuale nuk është koha për t'u ulur duarkryq", theksoi Kurti.
Ai shtoi se e ardhmja e vendeve në Ballkanin Perëndimor, të cilat janë të përkushtuara ndaj demokracisë dhe e kanë demonstruar qartë këtë angazhim, duhet të përafrohet me Bashkimin Evropian.
Gjatë qëndrimit në kryeqytetin grek, kryeministri Kurti pritet të ketë dhe takime bilaterale.