Kurti në Samit në Greqi: Kusht për fqinjësi të mirë është njohja reciproke.      /Foto: Albin Kurti/Twitter

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, me ftesë të kryeministrit të Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, ishte të hënën pjesë e darkës me liderët e shteteve të Ballkanit Perëndimor.

“Aty u diskutua rreth invazionit dhe agresionit të paprovokuar të Federatës Ruse mbi Ukrainën, me ç’rast u theksua mbështetja e palëkundur ndaj pavarësisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës, teksa u kërkua përgjegjësi dhe ndëshkim për krimet e kryera gjatë luftës dhe mizoritë e tjera mbi civilët”, thuhet në komunikatën e zyrës së kryeministrit të Kosovës.

Bëhet e ditur se në këtë darkë që korrespondon edhe me 20-vjetorin e Samitit të Selanikut nga ku ishte bërë e qartë perspektiva për anëtarësim të plotë të gjithë Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, u ritheksua mbështetja për zgjerimin dhe anëtarësimin në BE dhe rruga përpara.

Gjithashtu, u diskutua edhe për çështjet rajonale. Në fjalën e tij, kryeministri Kurti theksoi se “të gjitha shtetet që aspirojnë anëtarësim në Bashkimin Evropian duhet t'i përmbahen dhe ta zbatojnë demokracinë, sundimin e ligjit, respektimin e të drejtave të njeriut dhe fqinjësinë e mirë. E kusht për fqinjësinë e mirë është njohja reciproke, de-jure edhe de-facto. Minoritete do të ketë çdoherë, por kërkohet simetri dhe balancë në respektimin e minoriteteve bazuar në Konventën Kornizë për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare.”

Në fund të takimit u miratua edhe një deklaratë e përbashkët e cila bën thirrje për rienergjizimin dhe rifokusimin në procesin e zgjerimit për anëtarësim në BE; mbështetje të palëkundur për pavarësinë e Ukrainës; ndëshkimin e krimeve të kryera gjatë luftës dhe thirrjen për përgjegjësi ndaj kryerësve të krimeve.

Ndryshe, në këtë darkë morën edhe kryetarja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel, presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy, kryeministri i Kroacisë Andrej Plenkoviq, kryeministri i Rumanisë Marcel Ciolacu, kryeministri i Bullgarisë Nikollai Denkov, presidentja e Moldavisë Maia Sandu.

TRT Balkan / agjencitë