Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë qëndrimit të tij zyrtar në Estoni, ka vlerësuar mbështetjen e homologes së tij, kryeministres Kaja Kallas për liberalizimin e vizave si dhe mbështetjen për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.
Kurti nga Estonia ka thënë se Qeveria e Kosovës është duke bërë çmos për ta mbrojtur ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë e vendit, derisa optimist u shpreh sa i përket zgjidhjes së çështjes së targave.
“Jam optimist, por qasja e Beogradit ka qenë mjaft penguese dhe e dëmshme. Në ditët në vijim do të shohim se sa të suksesshëm do të jemi në negociatat më të reja. Na duhet marrëveshje me Serbinë, marrëveshje përfundimtare, ligjërisht e detyrueshme për normalizimin e plotë të marrëdhënieve me njohjen reciproke në qendër”, ka deklaruar Kurti.
Njëjtë edhe kryeministrja e Estonisë, Kaja Kallas, marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve i cilësoi si të mira dhe shumë aktive.
“Marrëdhëniet mes Estonisë dhe Kosovës janë shumë të mira dhe më vjen mirë që po bëhen edhe më aktive. Isha e lumtur të diskutoja procesin e reformës në Estoni, veçanërisht në fushën e qeverisjes digjitale dhe sundimit të ligjit. Ndërtimi i demokracisë nuk përfundon kurrë – këtu ne kujdesemi për të çdo ditë. Një shembull i shkëlqyer i bashkëpunimit tonë praktik është se aktualisht ekspertët estonezë në bashkëpunim me ndihmën tuaj po krijojnë strategjinë e qeverisjes elektronike të Kosovës. Ajo që është thelbësore për të bërë më pas është ta zbatoni atë së shpejti në praktikë”, tha Kallas.
Ajo pati një falënderim për Kosovën, për mbështetjen që Kosova i dha Ukrainës. Ndërkohë që theksoi mbështetjen e Estonisë në rrugën euroatlantike të Kosovës.
BE fton Vuçiqin dhe Kurtin
Zëdhënsi i BE-së, Peter Stano në deklartën e fundit tha presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti janë ftuar të shkojnë në Bruksel, në një takim të nivelit të lartë me qëllim gjetjen e një zgjidhjeje evropiane.
“Shpresojmë se do të mund të vijë shumë shpejtë”, tha Stano, duke shtuar kjo është situata më serioze që nga viti 2013.
Ndryshe, nga data 21 nëntor deri më 21 janar sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës pritet të filloj faza e dytë e masave për pronarët e makinave me targa serbe, respektivisht shqiptimi i gjobave.