Kryeministri i Kosovës Albin Kurti në rrjeter sociale ka shpërndarë video ku sipas tij, shihen pjesëtarë të njësive speciale të Serbisë, pranë vijës kufitare me Kosovën.
“Sot gjatë ditës, njësi të specializuara të ushtrisë së Serbisë janë vërejtur vetëm disa metra larg kufirit me Kosovën, në afërsi të fshatit Banje të Zubin Potokut. Lëvizje të ngjashme janë regjistruar edhe në fshatin Oslare të Bujanovcit, në afërsi të kufirit me Kosovën”, shkruan Kurti.
Ai mes të tjerash shton se janë të vetëdijshëm se Forcat e Armatosura të Serbisë janë duke realizuar stërvitjet e rregullta dhe ato janë duke i përdorur si pretekst për të shkaktuar provokime të qëllimshme në afërsi të kufirit me Kosovën.
“Jemi duke vëzhguar me kujdes se a do të përpiqen ta kalojnë kufirin, gjersa edhe ky afrim i automjeteve të tyre ushtarake nuk është normal”, shprehet Kurti.
Ditë më parë, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, siç theksoi Kurti kërcënoi publikisht Kosovën, duke thënë se “Serbia do të presë momentin më të mirë të mundshëm dhe do ta shfrytëzojë mundësinë për të vepruar”.
Ndryshe, më 24 shtator në fshatin Banjë në veri të Kosovës ndodhi një incident i armatosur mes një grupi të armatosur serbësh që kishin hyrë nga Serbia dhe njësive të Policisë së Kosovës. Si pasojë jetën humbin polici Afrim Bunjaku dhe disa pjesëtarë të tjerë u lënduan. Kurse autoritet policore të Kosovës neutralizuan tre pjesëtarë të grupit serb të armatosur dhe arrestuan dy të tjerë.