Kurti: Normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë me qendër njohjen reciproke. / Photo: AA

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se njohja reciproke duhet të jetë në qendër të normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Duke folur në Forumin e dytë Ekonomik në Shkup, kryeministri Kurti tha se Kosova është një histori suksesi e demokracisë cilësore dhe e zhvillimit ekonomik, por theksoi nevojën për të normalizuar marrëdhëniet me Serbinë.

"Ne duhet të normalizojmë marrëdhëniet mes dy vendeve tona dhe mendoj se normalizimi i marrëdhënieve mund të bëhet duke pasur në qendër njohjen reciproke", tha Kurti.

Ai gjithashtu komentoi faktin që mbledhja e ardhshme e nivelit të lartë në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi do të mbahet në Shkup, e jo në Bruksel. Kurti rikujtoi se Maqedonia e Veriut ka një simbolikë të veçantë pasi edhe më herët ka qenë vendi ku janë nënshkruar marrëveshje të rëndësishme që kanë të bëjnë me Kosovën.

"Të mos harrojmë se më 9 qershor 1999, pikërisht në Kumanovë u arrit marrëveshja për kapitullimin e Jugosllavisë së Millosheviqit dhe për hyrjen e trupave të NATO-s në Kosovë. Pra, mendoj se këto elemente simbolike të Maqedonisë së Veriut ishin të rëndësishme për zotin (Josep) Borrell që na ftoi të vijmë këtu për takimin e radhës të nivelit të lartë", tha Kurti.

Duke folur për ndikimin e agresionit rus kundër Ukrainës, ai u shpreh se Rusia përpos kësaj lufte, gjithashtu po përpiqet të destabilizojë rajone të ndryshme nëpërmjet luftës hibride.

Ai u shpreh se në Kosovë, pasojat e luftës në Ukrainë janë të shumta, duke përfshirë inflacionin dhe çmimet e larta energjetike. Kurti gjithashtu u shpreh se populli i Kosovës deri në një nivel kaloi sërish nëpër traumat, duke parë masakrat që ndodhin në Ukrainë, të cilat kosovarët i kanë përjetuar gjatë luftës së viteve 1998-99.

Kryeministri i Kosovës tha se vendi i tij iu bashkëngjit sanksioneve të ShBA-së dhe BE-së kundër Rusisë, gjithashtu duke u zotuar të pranojë deri në 5.000 refugjatë ukrainas.

Duke folur për nismat rajonale, Kurti përshëndeti marrëveshjet e arritura në kuadër të Procesit të Berlinit, duke theksuar se Kuvendi i Kosovës veçse i ka ratifikuar këto marrëveshje.

Forumi i dytë Ekonomik në Shkup organizohet nga Forumi Ekonomik Delphi dhe Shoqata Helenike e Biznesit. Në të marrin pjesë përfaqësues të lartë nga politika, ekonomia, biznesi dhe teknologjia nga vendi dhe rajoni.

Gjatë forumit mbahen një sërë panelesh, ku do të diskutohet për agresionin rus kundër Ukrainës, anëtarësimin e Ballkanit në BE, perspektivën energjetike në rajon, investimet në infrastrukturë si dhe strategjitë për zhvillimin ekonomik dhe transformimin digjital.

TRT Balkan / agjencitë