Kurti: Pa siguri, nuk mund të ketë normalizim të marrëdhënieve me Serbinë.     /Foto: Albin Kurti/Facebook

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti theksoi se “Kosova dëshiron normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, por nuk mund të ketë normalizim pa pasur siguri”.

Kurti deklaroi se se nuk është në dijeni për ndonjë takim të planifikuar gjatë dhjetorit në Bruksel, në mes tij, ndërmjetësuesve dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Nuk jam në dijeni për ndonjë takim të planifikuar, por ju e keni të qartë se unë si kryeministër, Qeveria e Republikës së Kosovës, kanë qenë gjithmonë të përkushtuar, konstruktive, kreative, por nga sulmi terrorist, kriminal në Banjskë të Zveçanit, ne duhet të theksojmë se prioritet i shtetit të Kosovës është siguria. Është siguria e kufijve, ne duam normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, por nuk mund të kemi normalizim pa pasur siguri, e siguria nënkupton që kriminelët terroristë nuk duhet të jenë të lirë si fatkeqësisht po ndodhë Serbi",u shpreh Kurti.

Kryeministri Kurti është pyetur edhe për zgjedhjet e 17 dhjetorit në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, për çka tha se ajo pjesë e ka gjithmonë mbështetjen e Kosovës.

“Por, gjithë mbështetjen tonë e kanë, në këtë vit e kishin buxhetin 2 milionë euro, ndërkaq në vitin e ardhshëm e kemi shtuar e kemi bërë 3 milionë euro dhe në këtë mënyrë ne po vendosim dyshe përfund së cilës nuk mund të shkojë as qeveria jonë në vitet e ardhshme, por as një qeveri në të ardhme”, tha Kurti.

Këto komente Kurti i bëri gjatë vizitës në Komunën e Gjilanit ku me kryetarin e kësaj komune, Alban Hyseni, kanë shpalosur projektet të cilat janë realizuar dhe ato të cilat do të përfundojnë për vitin 2024.

TRT Balkan / agjencitë