Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka mirëpritur në takim Presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, i cili qëndroi për një vizitë zyrtare në Kosovë.
Siç njofton Zyra e Kryeministrit, fillimisht Kurti dhe Pendarovski zhvilluan një takim kokë më kokë para takimit bilateral ndërmjet delegacioneve zyrtare.
“Dy vendet dhe shtetet tona i dëshirojnë më të mirën njëra-tjetrës dhe kanë komunikim dhe bashkëpunim të mirë si në aspekt institucional, ashtu edhe në nivel të shoqërive tona”, u shpreh kryeministri Kurti në fillim të takimit.
Ai e falënderoi presidentin Pendarovski dhe Maqedoninë e Veriut për mbështetjen ndaj Kosovës në çështje të ndryshme me interes të përbashkët, veçanërisht në rrafshin ndërkombëtar përmes përkrahjes në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.
Në takim u diskutua për marrëdhëniet bilaterale, fushat në të cilat mund të shtohet e thellohet bashkëpunimi, ashtu si edhe projektet e përbashkëta infrastrukturore që lidhin dy shtetet, siç është projekti i rrugës Prizren-Tetovë për të cilën në javën e dytë të këtij muaji ministrat respektivë nënshkruan marrëveshje për bashkëfinancim të hartimit të projektit për ndërtimin e tunelit për rrugën Prizren-Tetovë.
Tutje, bëhet e ditur se në takim u fol edhe për zhvillimet në rajon, procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe situatën e sigurisë pas sulmit terrorist dhe paramilitar të para katër muajve në Banjskë të komunës së Zveçanit, ku me këtë rast, Kurti falënderoi presidentin Pendarovski për vendimin për Maqedoninë e Veriut për shtimin e kontingjentit të trupave të saj në kuadër të KFOR-it.
Presidenti Pendarovski u shpreh mirënjohës për mikpritjen, duke thënë se Kosova dhe Maqedonia e Veriut, përveç marrëdhënieve shumë të mira, kanë edhe të njëjta qëllime strategjike.
Pendarovski tha se Maqedonia e Veriut është e gatshme që të ndajë me Kosovën përvojat e saj sa i përket integrimit evropian dhe anëtarësimit në NATO.