Kurti për Aneksin e zbatimit: Përgjegjësia është në anën e Serbisë.     /Foto: TRT Balkan

Faktori ndërkombëtar të gjykojë dhe të dënojë sjelljen e Serbisë edhe për moszbatim të aneksit të marrëveshjes, tha sot kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe shtoi se përgjegjësia tani është në anën e Serbisë se pse nuk po e nënshkruan marrëveshjen e dakorduar në Ohër, më 18 mars.

Në një prononcim para gazetarëve, Kurti ka thënë se zbatimi i marrëveshjes do të duhej të fillonte që dje, pasi, siç ka thënë, nuk ka një afat se kur duhet të fillojë zbatimi.

“Plani i zbatimit thotë që nuk ka një afat në të ardhmen kur duhet të fillojë zbatimi i marrëveshjes. Marrëveshjen bazë dhe planin e zbatimit tashmë i kemi të dakorduara. Për neve kjo është e një marrëveshje, por unë pres nga faktorët ndërkombëtarë të gjykojnë, të dënojnë sjelljen e Serbisë, e cila, kur zhvillohen takimet, thotë se nuk nënshkruan, ndërmjet takimeve thotë se nuk do të zbatojë asgjë”, tha Kurti.

Ai theksoi se nuk mund të flasë se kurrë nuk do të njohë Kosovën, pasi marrëveshja bazë është njohje de-facto.

Sa i përket nenit shtatë të marrëveshjes bazë, ku flitet për vetë menaxhim të komunitetit serb në Kosovë, Kurti është shprehur se ai formulim i përket Konventës Kornizës për mbrojtjen e pakicave kombëtare të Këshillit të Evropës.

“Do të duhej që atë formulimin për vetëmenaxhimin e komunitetit serb të adresohen çështjet që neve na paskan ngelur pa u përmbushur. Për neve bëhet fjalë për një formulim që i përket në mënyrë shumë besnike dhe të saktë Konventës Kornizës për mbrojtjen e pakicave kombëtare të Këshillit të Evropës”, ka shtuar Kurti.

Më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut, pas më shumë se 12 orë negociatash mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq është arritur marrëveshje mbi Aneksin e implementimit të Planit Evropian për dialogun, por pa nënshkrim të palëve. Megjithatë, shefi i diplomacisë së BE-së, Joseph Borrell, ka thënë se marrëveshja dhe aneksi për zbatimin e saj konsiderohen të aprovuara.

TRT Balkan / agjencitë