Kurti për atentatin e planifikuar në Shkup: Rrënjët i kanë në Beograd / Photo: AA

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka komentuar atentatin e planifikuar ndaj tij, gjatë qëndrimit në Maqedoni të Veriut.

Në përgjigjen ndaj gazetarëve në Prishtinë, lidhur me këtë ngjarje, ai tha se gjatë kthimit nga Shkupi ka parë forca të shumta policore dhe se nuk është ndier i rrezikuar.

"Unë kam mësuar që ka shumë kërcënime nga individë e struktura të cilët i kanë rrënjët e tyre në Beogradin zyrtar. Unë sa erdha nga Shkupi këtu, nuk jam ndier i rrezikuar veçse kam parë që kishte shumë forca policore të cilët u kujdesën për këtë mbledhjen që e mbajtëm në Shkup me partitë social demokrate e ku mysafiri special ishte kryetari i Partisë Socialdemokrate gjermane, i cili kishte ardhur nga Berlini", tha ai.

Kryeministri Kurti mbrëmë ka qëndruar në Shkup, kurse paraprakisht janë marrë të gjitha masat e sigurisë, në koordinim me institucionet e sigurisë së Maqedonisë së Veriut.

Siç raportohet, vlerësimet për kërcënimin e jetës së Kurtit kanë qenë serioze, veçmas duke marrë parasysh se ato kanë ardhur nga disa burime të informacionit.

Ndryshe, gjatë ditës Radio Televizioni i Kosovës, raportoi se bëhet fjalë për plan serb dhe i njëjti është zgjedhur që të realizohet në Shkup, edhe për shkak të pranisë shqiptare, ku më pas do të mund të interpretohej si qërim hesapesh në mes të shqiptareve.

TRT Balkan / agjencitë