Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e Qeverisë ka deklaruar se vendosja e barrikadave në veri të Mitrovicës është e paligjshme.
Sipas Kurtit, edhe koha e dhënë ndaj KFOR-it si partner i bashkëpunimit për largimin e barrikadave në veri po shteron me shpejtësi, dhe një gjë e tillë nuk do të tolerohet në vazhdim.
Siç thotë Kurti, institucionet e Kosovës nuk do të bisedojnë dhe nuk do të bashkëpunojnë me kriminelë, por do t’i arrestojnë ata.
“Vendosja e barrikadave në rrugë është veprim i paligjshëm, i papranueshëm dhe nuk do të tolerohet. Në përputhje me vlerësimet e sigurisë ne i kemi dhënë kohën dhe hapësirën e nevojshme KFOR-it për të vepruar, por sigurisht kjo kohë po shteron me shpejtësi. Ne kemi bashkëpunim dhe bashkërendim me KFOR-in, prandaj edhe kjo dhe hapësira e nevojshme i është dhënë KFOR-it. Por, një gjë duhet të kuptohet se nuk mund të qëndrojë edhe parimi i lëvizjes së lirë dhe barrikadat në rrugë që e pengojnë lëvizjen e lirë”, tha Kurti.
Duke folur për qeverisjen e tij gjatë vitit 2022, kryeministri Kurti tha se janë mbyllur 16 rrugë ilegale në veri dhe është bërë përmirësimi i infrastrukturës rrugore dhe kushteve të punës për zyrtarët policorë atje.
Kryeministri Kurti para kabinetit qeveritar tha se viti 2022 ka qenë vit i arritjeve dhe i përmirësimit, por edhe sfidave. Përkitazi me këtë, ai tha se Kosova ka filluar të çlirohet nga korrupsioni.
Gjatë qeverisjes së tyre në vitin 2022, kryeministri Kurti tha se kanë marrë 579 vendime dhe se kanë miratuar 71 projektligje në ekzekutiv.