Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka dhënë detaje për trajnimet dhe planifikimet që po i bëjnë grupet terroriste në krye me Millan Radojçiq në afërsi të kufirit me Kosovën, duke thënë se planet për sulme kanë qëllim destabilizimin e situatës. Megjithatë, ai theksoi se terrorizmi është sfidë për Kosovën dhe nuk ka kurrfarë gjasash të triumfojë në një shtet demokratik siç është Republika e Kosovës.
Kurti në një konferencë me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se gjatë muajit nëntor 2023 ka pasur planifikime që të kryhet një sulm në drejtim të Komunës së Zubin Potokut, me qëllim marrjen e vilës se Radojçiq në brigjet e liqenit të Ujmanit. Por, këto plane janë pezulluar përkohësisht për shkak zgjedhjeve në Serbi.
Kurti theksoi se Milan Radojçiq po vazhdon përgatitjet për sulmet e tjera në Kosovë, bashkë me disa pjesëtarë të organizatës terroriste të mbrojtjes civile, të cilët po paguhen rreth dy mijë euro në muaj.
Ai potencoi se një grup prej 80 personash të larguar nga Kosova kanë vazhduar ushtrimet në poligonin Simovnik në afërsi të Rashkës, derisa shtoi se aty ushtria serbe kryen ushtrime të ndryshme, përfshirë edhe gjuajtjes me tanke.
Kurti tha se në poligonin e ushtrisë serbe në Peshter, kanë filluar ushtrimet e një grupi terrorist që kanë qenë pjesëmarrës edhe në sulmin terrorist në Banjskë. Sipas tij, ky grup kishte planifikuar sulme ndaj Policisë së Kosovës, pas përfundimit të zgjedhjeve në Serbi në lokacione kufitare që lidhen me rrugën kufitare alternative.
Ndër të tjerash, Kurti derisa foli për përgatitjet e strukturave terroriste dhe paramilitare serbe, për sulme tjera në Kosovë, potencoi se ato kanë lidhje direkte me strukturat e shtetit të Serbisë.
Ai theksoi se planet për sulme synojnë destabilizimin e situatës.
Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla u ndal edhe një herë te sulmi terrorist i 24 shtatorit, duke thënë se kishin për qëllim aneksimin e pjesës veriore dhe ishin direkt të mbështetura nga shteti i Serbisë.
Ai shtoi se kanë ofruar fakte të mjaftueshme se Serbia qëndron prapa sulmeve, derisa theksoi se institucionet dhe zyrtarët tanë janë sulmuar 114 herë në veriun e vendit.
Sveçla edhe një herë përshkroi të gjitha zhvillimet e sulmit terroristë të 24 shtatorit, duke treguar rrugën që kanë ndërtuar grupet terroriste për të hyrë në Kosovë, sulmin e parë ku mbeti i vdekur polici i Kosovës, automjetet dhe veturat mbështetëse për grupin terrorist.
Sveçla dha detaje edhe për tre terroristët e neutralizuar më 24 shtator të këtij viti, si dhe emrat e pjesëtarëve tjerë të grupit terroristë që morën pjesë në trajnime në Pasuljanske dhe në sulmin e 24 shtatorit.
Ai dha detaje edhe për sulme të tjera që ndodhën në veri gjatë këtij viti ndaj policisë, KFOR-it.