Kurti: Rregullorja e BQK-së nuk e prish partneritetin e Kosovës me ShBA-në       / Foto: Kosova Press

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Republika e Kosovës nuk po e rrezikon partneritetin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për shkak të Rregullores së re të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) e cila e pranon si valutë të vlefshme për operim në treg vetëm euron, transmeton Anadolu.

Në një deklarim nga qyteti i Prizrenit, atje ku u përurura një projekt në Spitalin e Prizrenit, Kurti tha se Kosova nuk ka aleate dhe mike më të rëndësishme se ShBA-ja, pasi është pyetur rreth deklaratave të ndihmëssekretarit të Shtetit, James O’Brien, i cili është shprehur se nuk do ta trajtojnë Qeverinë e Kosovës si partnere nëse nuk trajtohen njëjtë.

“Republika e Kosovës nuk ka partner, aleat edhe mik të rëndësishëm se ShBA-në. Kështu e konsideroj dhe bashkëpunoj si kryeministër i Kosovës. Banka Qendrore e Kosovës ka prezantuar një plan 10-pikësh për zbatimin e Rregullores së saj. Ne jemi një republikë demokratike. Qeveria nuk u mbivendoset institucioneve të pavarura siç është BQK-ja”, ka thënë Kurti.

Kurti tha se nuk ka masa ndëshkuese për zbatimin e Rregullores së re të BQK-së, pasi duan të ecin përpara pa incidente.

“Në mesin e këtyre 10 pikave si plan pune për zbatimin e Rregullores, BQK-ja nuk ka paraparë asnjë masë ndëshkuese, pra pa ndëshkim dhe pa incidente duam të ecim përpara.

Kushtetutshmëria dhe ligjshmëria janë prioritet yni, por njëkohësisht ne kujdesemi edhe për paqe e siguri, kujdesemi edhe për mirëqenien e qytetarëve serbë”, ka thënë Kurti, duke shtuar se Rregullorja e re e BQK-së nuk shihet si problem për qytetarët serbë, por vetëm për Beogradin zyrtar.

Nga 1 shkurti 2024 hyri në fuqi Rregullorja e re e BQK-së, e cila e bën euron si valutën e vetme për pagesa në Kosovë, gjë e cila nxiti reagimin e ndërkombëtarëve, veçanërisht ShBA-së e cila i ka bërë thirrje Qeverisë për shtyrjen e zbatimit të këtij vendimi.

AA