Kurti takoi Borrellin e Lajçakun: Të dënohet djegia e veturave me targa RKS.     Foto: AA

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili po qëndron në Berlin për të marrë pjesë në Samitin e Ballkanit Perëndimor, para fillimit të samitit është takuar me Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian (BE) për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Josep Borrell dhe Përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë - Serbi, Miroslav Lajçak.

Siç njofton Zyra e Kryeministrit të Kosovës, temat qendrore të këtij takimi kanë qenë marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe elementet e kornizës së marrëveshjes për normalizimin e plotë të raporteve me njohjen reciproke në qendër, vendimi i fundit i Qeverisë për targat ilegale, çështja e energjisë dhe çështje tjera aktuale.

Në lidhje me zbatimin e vendimit të ri për targat ilegale që qarkullojnë kryesisht në komunat veriore me shumicë të banorëve serbë, kryeministri Kurti tha se Qeveria e Kosovës po tregon vendosmëri në sundimin e ligjit.

"Nëpërmjet sekuencimit në tri etapa dhe shkallë, Qeveria e Republikës së Kosovës ka treguar vendosmërinë për sundimin e ligjit dhe përkushtimin në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në vend", tha Kurti duke bërë thirrje që dëmtimi dhe djegia e veturave me targa “RKS” në veri të vendit të dënohet nga të gjithë.

Sa i përket çështjes së energjisë, Zyra e Kryeministrit njofton se Kurti ka folur për rëndësinë e zbatimit të plotë dhe të shpejtë të udhërrëfyesit për energji, ndaj të cilit "Republika e Kosovës dhe institucionet vartëse kanë treguar përgjegjshmëri të lartë duke përmbushur obligimet në kohë rekord".

Në takimin që po mbahet në kuadër të Procesit të Berlinit, Kosova, Serbia, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Bosnjë e Hercegovina dhe Mali i Zi pritet të nënshkruajnë tre marrëveshje - për lëvizjen e qytetarëve me vetëm letërnjoftime; për njohjen e kualifikimeve në nivelin e lartë të arsimit dhe për njohjen e kualifikimeve profesionale për mjekët e përgjithshëm, ata të stomatologjisë dhe për arkitektët.

Procesi i Berlinit, i cili filloi nga viti 2014, është format i takimeve vjetore të iniciuara nga Qeveria gjermane me qëllim që të forcojë bashkëpunimin e BE-së me Ballkanin Perëndimor dhe të përshpejtojë integrimin e këtyre vendeve në BE.




AA