Kryeministri i Kosovës Albin Kurti takoi sot në Paris Përfaqësuesin e Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, në prag të Samitit të Paqes në Paris. Në profilin e tij në Twitter, Kurti thotë se me Borrelin është diskutuar propozimi franko-gjerman për marrëveshje me Serbinë, ndërsa porosit se bisedimet për arritjen e marrëveshjes nuk duhet të vonohen.
“Para Samitit të Paqes në Paris sot, takova Përfaqësuesin e Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme Josep Borrell për të diskutuar propozimin e Brukselit, të mbështetur nga Franca, Gjermania dhe ShBA-ja, lidhur me normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Duhet të mos vonojmë bisedimet për marrëveshjen ligjërisht të obligueshme derisa adresojmë çështjet aktuale”, shkruan Kurti.
Përveç Borrellit, Kurti ka takuar edhe Përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë – Serbi, Mirosllav Lajçak. Në njoftimin e Qeverisë së Kosovës pas dy takimeve theksohet se propozimi franko-gjerman është “bazë e mirë për diskutime të mëtejshme”.
Gjithashtu, sipas komunikatës së Qeverisë, Kurti u ka thënë përfaqësuesve të BE-së se qeveria e tij është e vendosur për sundimin e ligjit dhe përkushtimin në ruajtjen e paqes dhe të sigurisë në vend.
Në Samitin e Paqes në Paris po merr pjesë edhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, i cili gjithashtu takon sot Përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Josep Borrell, lidhur me tensionet e fundit Serbi-Kosovë dhe propozimin franko-gjerman për normalizimin e raporteve.