Kurti takon kandidatët e Vetëvendosjes në Veri të Mitrovicës. / Photo: Lëvizja Vetëvendosje/Facebook

Në fundjavë, më 23 prill do të mbahen zgjedhjet lokale për komunat në veri të Kosovës të cilat mbeten pa kryetar si shkak i dorëheqjes së Listës Serbe nga institucionet.

Në saje të fushatës përpara zgjedhjeve, kryetari i VV-së, Albin Kurti, ka takuar kandidatët e subjektit të tij në Mitrovicën e Veriut.

Në takim, Kurti ka qenë së bashku me disa ministra dhe deputetë të partisë.

Gjatë prezantimit të kandidatëve Kurti ka thënë se komuna veriore e Mitrovicës sot është vend më i sigurt sesa që ka qenë dy vite më parë.

“115 është numri i Fitores! Komuna Veriore e Mitrovicës sot është vend më i sigurt sesa që ka qenë dy vjet më parë. Kjo falë vendosmërisë dhe punës serioze që ka bërë qeverisja qendrore në atë pjesë. Luftimi i krimit, korrupsionit, kontrabandës dhe bandave kriminale atje, ka dhënë rezultate të suksesshme. Nuk ka më ferma të drogës e të kriptovalutave, rrugë ilegale për kontrabandë. Ka prani të shtetit, stacione të reja të policisë që garantojnë rendin dhe sigurinë”, thuhet në njoftimin e Vetëvendosjes.

Tutje, në njoftim thuhet se është treguar edhe se çfarë u mungon qytetarëve në atë pjesë dhe si duhen adresuar këto nevoja.

“Kësaj po i përgjigjen në komunikim të përditshëm me qytetarët katër kandidatët e Lëvizjes VETËVENDOSJE që me numrin 115 do të jenë kryetarët e ri në komunën Veriore të Mitrovicës, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq, Erden Atiq si Kryetar i ardhshëm i komunës veriore të Mitrovicës, Flatron Hasani si kryetar i komunës së Zubin Potokut, Fetah Peci si kryetar i Zveçanit dhe Lulëzim Hetemi i Leposaviqit, kanë mbështetjen e plotë të qytetarëve në katër komuna veriore”.

Erden Atiq, kandidat i Lëvizjes Vetëvendosjes për kryetar të komunës veriore të Mitrovicës. Lëvizja Vetëvendosje/Facebook

Përveç Vetëvendosjes edhe Partia Demokratike e Kosovës ka kandidatët e saj si Albulena Behluli Hetemi (Leposaviq), Izmir Zeqiri (Zubin Potok), Ilir Peci (Zveçan) dhe Taulant Kelmendi (Mitrovicë e Veriut).

Kandidatë të tjerë që janë verifikuar nga KQZ-ja e Kosovës: Betim Osmani nga Iniciativa Qytetare (Mitrovicë e Veriut), Aleksandar Jabllanoviq nga Partia e Serbëve të Kosovës (Leposaviq), Sllagjana Pantoviq si kandidate e pavarur (Zveçan),

E këto zgjedhje ka vendosur t’i bojkotojë përfundimisht Lista Serbe.

Kjo parti politike nuk ka paraqitur në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve asnjë kandidat për pjesëmarrje në zgjedhje për kryetar në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, apo për ndonjërën nga dy kuvendet komunale, Zveçan dhe Leposaviq


TRT Balkan