Kurti: Vendimi për targat serbe varet nga respektimi i targave “RKS” / Foto: AA

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se qeveria e tij do të marrë vendim për t’i lejuar targat e automjeteve të Serbisë në Kosovë pasi që Policia e Kosovës të sigurohet se Serbia po e zbaton plotësisht dhe pa pengesa vendimin që targat “RKS” të qarkullojnë lirshëm në territorin serb.

Serbia vendosi që nga 1 janari të lejojë qarkullimin e lirshëm të veturave me targa “RKS”, duke hequr letrat ngjitëse mbi simbolet shtetërore.

Në mbledhjen e qeverisë, Kurti këtë vendim e ka quajtur si maskim, duke theksuar se duhet të shihet në terren zbatimi i tij për të vepruar edhe Kosova bazuar në parimin e reciprocitetit.

“Vendimin tonë të barazvlefshëm si çështje e marrëdhënieve reciproke do ta marrim sapo që policia jonë kufitare të dokumentojë dhe të vërtetojë se Serbia po e zbaton të plotë dhe pa pengesa vendimin e saj. Besojmë se kjo qasje është e drejtë përveçse e arsyeshme”, tha Kurti.

Kurti tha se vendimi i Serbisë vjen pas më shumë se 10 vjetësh të moszbatimit të marrëveshjeve paraprake. Sipas tij, çështja e targave është përdorur nga Serbia për dy vjet për të tensionuar situatën në veri të Kosovës.

Ai shtoi se vendimi i Serbisë është marrë edhe për qëllimin që të ulen kritikat e ndërkombëtarëve mbi Serbinë, pas zgjedhjeve të dhjetorit.

Tashmë dy vjet simbolet e Serbisë dhe të Kosovës për targat e automjeteve janë mbuluar me letra ngjitëse të bardha, veprim për të cilën palët arritën marrëveshje në fund të shtatorit të vitit 2021.

Dje, drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, në një deklaratë për mediat vendase njoftoi se qeveria e Serbisë ka marrë vendim që të lejojë qarkullimin e lirë të automjeteve me targa të Republikës së Kosovës (RKS) në vend.

Petkoviq tha se kanë marrë parasysh faktin që shumica e serbëve në Kosovë kanë filluar të përdorin automjete me targa RKS dhe theksoi se vendimi në fjalë do të fillojë të zbatohet nga 1 janari i vitit 2024 dhe do të jetë i vlefshëm për të gjithë kufijtë dhe vendkalimet administrative.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian (BE), Peter Stano, e ka konsideruar hap pozitiv drejt zbatimit të marrëveshjes Kosovë-Serbi vendimin e Serbisë për t’i njohur targat e automjeteve “RKS”, të lëshuara nga Kosova.

AA