Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, pas takimit me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi, tha se ka pasur pak përparim në tërësi për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi.
Emisari Lajçak tha se do të analizojë dy takimet e mbajtura, atë në Kosovë dhe atë në Beograd me presidentin Vuçiq, dhe se do të njoftojë Bashkimin Evropian se çfarë është diskutuar. Ai tha se diskutimi me të dyja shtetet ishte i nevojshëm për të përgatitur hapat e ardhshëm në këtë proces.
“Ju e dini se falë dialogut ne dhamë rezultate të rëndësishme para fundit të vitit të kaluar, marrëveshja për energjinë, si dhe njohja e targave RKS dhe përfundimi i regjimit të letrave ngjitëse, mendoj se janë prova konkrete dhe të dukshme për këtë. Por ka pasur pak përparim në situatën në tërësi, në normalizimin e marrëdhënieve”, tha Lajçak.
Lajçak tha se çështja e sulmit të Banjskës është diskutuar dje edhe në Beograd dhe se Bashkimi Evropian pret përgjigje për përgjegjësin kryesor të kësaj çështje.
“Sulmi i Banjskës diskutohet çdo herë në çdo takim që kur ka ndodhur. Po, sigurisht, ne e ngritëm (këtë çështje) edhe dje në Beograd, sepse, natyrisht, publiku evropian, shtetet anëtare evropiane presin dhe presin pasoja, përgjegjësi. Dhe po, kur bëhet fjalë për hetimin, nuk jam unë adresa e duhur sepse nuk ka asnjë hetim të udhëhequr nga Bashkimi Evropian. Ka vende individuale që po e bëjnë këtë, ose që e kanë bërë ose po vazhdojnë të bëjnë hetimin e tyre, prandaj kjo pyetje duhet të shtrohet drejt atyre që e bëjnë (hetimin)”, tha Lajçak.
Po ashtu, Lajçak theksoi se gjatë takimit është përmendur edhe vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës, për ndalimin e dinarit. Ai tha se për këtë çështje nuk dëshiron të flasë, sipas tij nesër do të jepen informacione rreth kësaj çështje.