Lajçak pas takimit me Kurtin: Situata aktuale nuk është e lehtë / Photo: AA

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Pas takimit që ka zgjatur rreth dy orë në qeverinë e Kosovës, Lajçak në një deklarim për media tha se situata aktuale nuk është e lehtë dhe puna e tij në këtë mes po ashtu nuk është e lehtë.

Lajçak tha se kishte takime të rëndësishme, të gjata, të sinqerta dhe të hapura paraprakisht me presidenten Vjosa Osmani dhe pastaj me kryeministrin Kurti.

“Ka mirëkuptim për nevojën për të lëvizur përpara në tri pikat që janë prezantuar nga BE-ja, që janë deeskalimi, zgjedhjet e parakohshme dhe rikthimi në normalizim. Ne do të vazhdojmë diskutimet tona për hapa konkretë për të arritur në këto pika”, theksoi Lajçak.

Lajçak tha se kryeministri Kurti ka shpalosur idetë e tij dhe ai ka shpalosur idetë e veta, prandaj edhe takimi ishte i gjatë. Ai shtoi se takime të tilla do të vazhdojnë të ketë.

Lajçak u pyet edhe nëse do të ketë masa ndëshkuese nga BE-ja për Serbinë, ashtu sikurse për Kosovën, por ai tha BE-ja e ka bërë të qartë se ka sanksione të gatshme edhe për Serbinë, të cilat mund të zbatohen nëse ajo nuk vepron me kërkesat e BE-së, por se kjo është në "dorën e vendeve anëtare të BE-së”.

“Dëshira ime është që të mos ketë sanksione të implementuara nga BE-ja në Kosovë ose në Serbi. Dëshira ime është që të kemi të dyja palët në bisedime në Bruksel për atë se si të implementohet marrëveshja e shkurtit”, theksoi Lajçak.

Vizita e Lajçakut vjen pas tensioneve disajavore në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe, si dhe pas masave ndëshkuese të BE-së për Kosovën për mosveprime në uljen e tensioneve.

Pas takimeve në Kosovë, Lajçak do të niset për në Beograd, ku pritet të takohet me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

AA