Lidhjet e Kosovës me Izraelin.     /Foto: TRT Balkan

Policia turke e arrestoi shqiptarin nga Kosova, Liridon Rexhepi, me dyshime se e operonte rrjetin financiar të Mossadit në Türkiye.

Shërbimi sekret turk ka regjistruar transaksionet e të dyshuarit përmes Western Unionit dhe kriptovalutave.

Shumë shqiptarë u befasuan nga ky lajm. Por, a është ky rast individual apo një përpjekje afatgjatë e Izraelit për t’u afruar me Kosovën dhe qytetarët e saj?

Ambasada në Jerusalem

Kosova dhe Izraeli kanë bërë titujt e mediave botërore që nga viti 2020, me Marrëveshjen për Normalizimin e Marrëdhënieve Ekonomike mes Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuar nga presidenti i atëhershëm i ShBA-së, Donald Trump.

Çfarë lidhje ka Izraeli me këtë marrëveshje? Epo, në këtë marrëveshje u përfshi një pikë e cila parashikonte që edhe Serbia, edhe Kosova, të hapin ambasadat e tyre në Kuds, (Jerusalem) duke e njohur atë si kryeqytet të Izraelit.

Kosova dhe Izraeli as që e kishin njohur njëra-tjetrën më parë, por gjërat lëvizën shpejt dhe pas njohjes reciproke, në mars të 2021-tës, Kosova e hapi ambasadën e saj në Jerusalem.

Kështu, Kosova u bë vendi i parë me shumicë myslimane në botë që e njeh Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit. Vetëm 4 vende të tjera, përkrah Kosovën, kanë hapur ambasadë në Jerusalem, ndërsa shumica dërrmuese vazhdojnë t’i mbajnë në Tel Aviv.

Këtë marrëveshje e arriti qeveria e kaluar e Kosovës, por as qeveria e tashme, përkundër hezitimit fillestar, nuk e ka kundërshtuar.

Shumëfishohet tregtia dypalëshe

Shifrat për sektorin privat tregojnë pothuajse dyfishimin e importit nga Izraeli në Kosovë, 42 milionë euro në vitin 2022, nga 22 milionë në 2020, që pas njohjes reciproke mes dy vendeve.

Eksporti në Izrael, nga ana tjetër, gati u dhjetëfishua. Nga 85.000 euro në 2020, shkoi në 783.000 në 2022.

Heqja reciproke e vizave

Kjo qeveri nënshkroi heqjen reciproke të vizave mes Izraelit dhe Kosovës në qershor të këtij viti, mes kritikave nga e gjithë bota në adresë të qeverisë së Netanyahut për gjenocidin në Gaza.

Izraeli u bë kështu një nga 51 vendet që heq vizat për kosovarët.

“E drejta e vetëmbrojtjes”

Kryeministri Albin Kurti ka reaguar dy herë për atë që po ndodh në Gaza: Një herë duke theksuar të drejtën e Izraelit për vetëmbrojtje pas sulmit ndërkufitar të Hamasit, si dhe një herë tjetër duke kërkuar armëpushim në Gaza, në mars të këtij viti.

Dhe duket se, sikurse shumë qeveri të tjera, edhe qeveria e Kosovës është tërësisht e shkëputur nga mendimi i shumicës së popullsisë së saj për sa i përket luftës në Gaza.

TRT Balkan