Lista Serbe: Kurti pranoi se i ka dhënë urdhër KQZ-së.         Foto: AA

Lista Serbe ka vlerësuar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në konferencën e fundit për media, pranoi publikisht se i ka dhënë urdhër të kundërligjshëm Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për ndalimin e pjesëmarrjes së Listës Serbe në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025.

"Kurti pa mëdyshje urdhëroi përpjekjen për eliminimin e Listës Serbe në zgjedhje, duke e ditur se ne jemi mburoja më e fortë e mbrojtjes së interesave të popullit serb dhe se asgjë nuk mund ta mposhtë listën tonë të kandidatëve dhe të vendosë këlyshët e tij në parlament", thuhet në reagimin e Listës Serbe.

Ata thanë se Kurti tregoi publikisht se është i gatshëm të dalë kundër Kushtetutës dhe ligjeve të miratuara në Kosovë, në luftën kundër Listës Serbe dhe popullit serb.

"Kështu, ai konfirmoi atë që ne të gjithë e dimë shumë mirë, se regjimi i tij nuk di për demokracinë, sundimin e ligjit, të drejtat e njeriut apo ligjshmërinë, por di shumë mirë për autokracinë, diktaturën, korrupsionin dhe anarkinë", thuhet në reagim.

Sipas Listës Serbe "përpjekjet e pabaza për kriminalizimin e Listës Serbe dhe shpikja e disa skenarëve fantastiko-shkencorë janë një tjetër dëshmi se Kurti nuk do të zgjedhë asnjë mjet për t'u marrë me partinë e tyre dhe popullin serb".

"Kujtojmë se përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë thënë qartë se nuk ka asnjë bazë apo provë për akuzat ndaj serbëve dhe Serbisë për sulmin në kanalin Ibër-Lepenc dhe se në hetim është përfshirë edhe FBI-ja. Prandaj, mezi presim të shohim rezultatet e hetimeve që Prishtina i ka sabotuar që në fillim", tha Lista Serbe.

Anëtarët e partive politike në KQZ të hënën nuk e kanë certifikuar si parti pjesëmarrëse në listën zgjedhore të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit Listën Serbe, kryesisht me arsyetimin se kjo parti nuk e njeh zyrtarisht shtetin e Kosovës.

Nëpërmjet një konference të jashtëzakonshme për media të martën pasdite, kryeministri Albin Kurti tha se moscertifikimi i Listës Serbe nuk ishte në dorën e Lëvizjes Vetëvendosje, ngase nga 11 anëtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, partia e tij ka vetëm dy anëtarë.

Rrjedhimisht, Kurti tha se askush nuk mund të presë se qëndrimi i anëtarëve të Vetëvendosjes në KQZ të ishte më ndryshe.

"Unë besoj se Lista Serbe është pengesa më e madhe për integrimin e vërtetë të serbëve në Kosovë. Prej djegies së veturave e pronave te rrahja brutale e serbëve që po integrohen në Kosovë e deri te ngacmimet, kërcënimet, shantazhet që u bëhen serbëve në Kosovë. Që të gjitha këto e mbajnë edhe nënshkrimin edhe vulën e Listës Serbe", theksoi Kurti.

Kryetari i Listës Serbe në Kosovë, Zllatan Elek, të martën njoftoi për ankesë ndaj vendimit të KQZ-së, në autoritetin kompetent.

Vendet perëndimore si Gjermania dhe ShBA-ja, së bashku me Bashkimin Evropian, shprehën shqetësimin pasi anëtarët e KQZ-së nuk konfirmuan pjesëmarrjen e subjektit më të madh politik të minoritetit serb në Kosovë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

TRT Balkan / agjencitë