Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviç, bëri thirrje të mërkurën për "kujdes në formimin e çmimeve në turizëm" gjatë vitit 2025.
Ai paralajmëroi se "sinjalet e tregut tregojnë se Kroacia po humb avantazhin e saj në çmime ndaj konkurrencës mesdhetare".
"Çmimet në turizmin tonë po rriten më shpejt se në vendet konkurruese," theksoi Plenkoviç, duke shtuar:
"Konkurrueshmëria e çmimeve po bëhet një faktor vendimtar për ruajtjen e trendit pozitiv të turizmit kroat."
Gjatë mbledhjes së Këshillit për Menaxhimin e Zhvillimit të Turizmit, ai theksoi se çmimet e shërbimeve turistike në Kroaci janë rritur dy herë më shpejt se në shumicën e vendeve të tjera mesdhetare dhe se "aktualisht janë më të larta se në Greqi dhe Spanjë".
Ai gjithashtu vuri në dukje një rënie prej "dhjetë për qind" të shpenzimeve nga turistët e huaj. Plenkoviq theksoi se çmimet duhet të jenë të përballueshme edhe për qytetarët kroatë dhe u bëri thirrje punonjësve të turizmit "për mençuri" në përcaktimin e çmimeve.
Kroacia është një destinacion turistik veror global, me rreth 21 milionë vizitorë dhe deri në 110 milionë netqëndrime çdo vit. Gjatë kulmit të sezonit në gusht, numri i turistëve në disa destinacione bregdetare përgjatë Detit Adriatik mund të jetë deri në 5,5 herë më i lartë se ai i banorëve vendas.