Sipas Institutit Gjeodinamik të Greqisë, rreth 1.440 tërmete janë regjistruar në ishullin grek Santorini në Detin Egje që nga 1 shkurti.
Instituti gjeodinamik njoftoi se prej tyre, rreth 440 ishin mbi 3 ballë të shkallës Rihter dhe 73 ishin mbi 4 ballë të shkallës Rihter.
Ishulli grek gjithashtu regjistroi 45 lëkundje gjatë ditës së sotme, përfshirë dy me mbi 4 ballë dhe dhjetë mbi 3 ballë.
Ndërkohë, në Athinë u mbajt një takim urgjent i kryesuar nga kryeministri Kyriakos Mitsotakis, ku morën pjesë ministri i Mbrojtjes Civile, Vassilis Kikilias dhe ekspertë.
Duke folur në takim, gjeologu Efthymios Lekkas, kreu i Agjencisë Shtetërore të Planifikimit dhe Mbrojtjes nga Tërmeti (OSAP), paralajmëroi për një rrezik të lartë të rrëshqitjeve të dheut në ishull për shkak të lëkundjeve.
Ndërkaq, Costas Papazachos, një ekspert i shquar i gjeofizikës dhe sizmologjisë, tha se "situata duket se po shkon drejt një skenari më të mirë në lidhje me aktivitetin sizmik", duke u kërkuar banorëve të ishullit të qëndrojnë të qetë.
Pas prezantimeve të ekspertëve, kryeministri Mitsotakis u shpreh se sot ata janë pak më optimistë krahasuar me dje.