Komiteti i Këshillit të Evropës për Parandalimin e Torturës dhe të Dënimeve ose Trajtimit Çnjerëzor (KPT) ka pranuar një numër të konsiderueshëm akuzash për keqtrajtim të rëndë fizik të personave të ndaluar nga policia në Mal të Zi.
Në këto akuza sipas raportit të këtij Komitetit janë përfshirë zyrtarë të Sektorit për Luftën kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, njësive speciale, policisë kriminale dhe inspektorëve nga stacione të ndryshme policore të vendosura në disa pjesë të Malit të Zi.
Komiteti thekson se akuzat përfshinin goditje me shuplaka, shkelma në kokë, stomak, gjoks dhe krahë dhe goditje në shputa, përdorimi i elektroshokut, qafore për qen, vendosja e qeseve në kokë, kërcënime me armë, kërcënime për përdhunim dhe zhveshje të të dyshuarve, duke i lidhur në një karrige dhe duke i lagur me ujë të ftohtë.
"Përveç kësaj, delegacioni dëgjoi edhe për kërcënimet e bëra ndaj fëmijëve ose anëtarëve të tjerë të familjes së të dyshuarit për t'i bërë presion që të rrëfejnë ose të zbulojnë informacione të caktuara. Sipas mendimit të Komitetit, këto veprime të supozuara mund të përbëjnë torture”, thuhet në raportin e KPT-së.
Shkeljet më të mëdha në fazën parahetimore
Shumica e torturave dhe/ose keqtrajtimit të supozuar, siç shkruan raporti i KPT-së, kanë ndodhur gjatë fazës parahetimore të procedimit penal, me sa duket për qëllim të nxjerrjes së informacionit ose rrëfimeve.
"Në shumë (por, jo në të gjitha) raste, këto pretendime kishin të bënin me persona që ishin thirrur në ambientet e policisë për të dhënë një deklaratë ose informacion fillestar, por që ende nuk ishin identifikuar zyrtarisht si të dyshuar. Ata ishin ftuar në një ‘intervistë informative’ me policinë. Duhet të forcohen masat mbrojtëse në lidhje me biseda të tilla”, thonë nga KPT-ja.
Kushte të këqija për të burgosurit
Personat e ndaluar në Burgun Hetimor në Spuzh dhe në departamentin e hetimit të burgut të Bijelo Polje sipas KPT-së u mbajtën për një kohë të gjatë në kushte të këqija. Në raport qëndron se situata përkeqësohet nga fakti se të paraburgosurit mbyllen në qelitë e tyre 23 orë në ditë për muaj (madje edhe vite) me radhë, me kufizime të shumta të vendosura nga gjykata gjatë periudhës paraprake.
"Efektet kumulative të kësaj situate për personat e paraburgosur, veçanërisht në burgun hetimor në Spuzh, së bashku me frekuencën e reduktuar të kontakteve me botën e jashtme, sipas mendimit të Komitetit, mund të çojnë në trajtim çnjerëzor dhe degradues. Autoritetet malazeze duhet të hartojnë dhe të zbatojnë një regjim gjithëpërfshirës të aktiviteteve jashtë burgut për të paraburgosurit, ndër masat e tjera për të korrigjuar situatën”, thotë raporti i KPT-së.