Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, prezantoi të mërkurën para deputetëve të Komisionit të Ligjeve, projektligjin për dhënien e amnistisë. Ministri Manja deklaroi se nga miratimi i amnistisë do të përfitojnë më shumë se 3.200 persona, 700 prej të cilëve në burg dhe pjesa tjetër në shërbim prove.
Manja shtoi se amnistia penale i vjen në ndihmë problemit të mbipopullimit, pasi sipas tij, burgjet janë të mbipopulluara dhe se kanë mbi 190 të paraburgosur më shumë sesa kanë kapacitete.
“Nga ky projektligj do të përfitojnë mbi 700 të burgosur. Kjo amnisti mbështetet në parimin e humanizimit, arritja e qëllimit të rehabilitimit, mundësi për riintegrim më të shpejtë të të dënuarve të mitur dhe gra, por pse jo dhe për zgjidhjen e problemit të mbipopullimit në sistemin penitenciar, duke rritur efikasitetin e këtij sistemi”, tha Manja.
Sipas tij, të dhënat janë jo më larg se të ditës së djeshme.
“Aktualisht në të gjitha institucionet e vuajtjes së dënimit, ne kemi 5.818 personash që mbahen në sistemin penitenciar, 2.204 janë të dënuar, 3.150 janë të paraburgosur dhe 458 persona janë me masa mjekësore sigurisht në zbatimit të një vendimi gjykate”, shtoi Manja.
Në këto shifra, siç thotë Manja, nuk përfshihen personat në shërbim prove, ku janë 11.290 persona.
“Kjo është gjendja dhe situata që kemi sot në Institucionet e Ekzekutimit të Vendimeve Penale, përfshirë dhe shërbimin e provës. Miratimi i amnistisë pra vjen si një masë e domosdoshme që na krijon mundësi për një menaxhim siç duhet të sistemi, pasi jemi në gjendje mbipopullimi”, tha ai.
Gjatë punimeve në Komisionin e Ligjeve, Deputeti i Partisë Demokratike Enkelejd Alibeaj kërkoi që kjo amnisti të zgjerojë gamën e përfituesve duke bërë pjesë të saj edhe qytetarët e dënuar apo në ndjekje penale për shkak të pjesëmarrjes në protestat e opozitës të zhvilluara gjatë periudhës kohore 1 tetor 2018 deri në 31 dhjetor 2020.
Deputetja e Partisë Socialiste Klotilda Bushka Ferhati, që është dhe kryetare e komisionit të ligjeve, nënvizoi se duhet parë mundësia për zgjerimin e gamës së përfituesve nga amnistia për të dënuarat gra.
“Të shohim se si janë të gjitha mundësitë për të parë se si mund ta zgjerojmë përfitimin nga amnistia në radhët e grave”, tha Bushka.