Maqedonci-Crosseto: Kosova mirënjohje Italisë për mbështetjen në siguri.    /Foto: Ejup Maqedonci/Facebook

Ministri i Mbrojtjes i Italisë, Guido Crosetto, qëndroi për vizitë në Kosovë. Ai u prit me nderime nga homologu i tij kosovar, Ejup Maqedonci, i cili shprehu falënderime për mbështetjen që Italia i ka ofruar Kosovës, veçanërisht në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes duke qenë shteti me pjesëmarrjen më të madhe të trupave në kuadër të misionit të KFOR-it.

Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Maqedonci, duke folur për takimin në rrjetet sociale njoftoi se temë diskutimi me homologun italian ka qenë situata e sigurisë në Kosovë si dhe format se si mund të zgjerojmë bashkëpunimin në fushën e shkollimit si dhe trajnimit të ushtarakëve, e po ashtu në fushën e industrisë së mbrojtjes.

“Kërkova mbështetjen e Italisë në proceset për anëtarësimin e Kosovës në BE dhe në NATO, për të cilën pranova dhe konfirmin nga ministri Crosetto se do të kemi mbështetjen e pakursyer të Italisë. Integrimi i Ballkanit në BE dhe në NATO të dy ishim dakord se do të krijonte stabilitet dhe paqe të qëndrueshme”, shkruan Maqedonci.

Ministri i Mbrojtjes i Italisë në platformën X njoftoi për takimin dypalësh Maqedonci-Crosseto, dhe tha se kjo e konfirmon lidhjen e fortë të miqësisë ndërmjet dy shteteve.

“Mbi 20 vjet angazhim italian në misionin NATO/KFOR. Promovimi i paqes dhe stabilitetit konfirmon lidhjen e fortë të miqësisë ndërmjet Italisë dhe Kosovës. Prania jonë është vendimtare për të zbutur tensionet dhe për të shmangur përshkallëzimin mes palëve”, thotë Ministria e Mbrojtjes e Italisë.

Krahas takimit me Maqedoncin, ministri Crosseto zhvilloi takime edhe me komandantin e KFOR-it, Özkan Ulutaş, dhe e vizitoi kontingjetin e Italisë në kuadër të KFOR-it.

TRT Balkan