Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut firmosën 21 akte dypalëshe – marrëveshje, memorandume dhe protokolle – në kuadër të mbledhjes së dytë ndërqeveritare të të dyja vendeve. Përveç akteve të nënshkruara, dy qeveritë u dakorduan edhe për 3 nisma të tjera, ndërsa veçohet për nga rëndësia nisma për Portin e thatë të Strugës. Siç u diskutua sot, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria do të fillojnë punimet për ndërtimin e një porti të thatë në Strugë, i cili do të lidhet me portin e Durrësit, me çka Maqedonia e Veriut, ngjashëm sikurse porti i thatë i Prishtinës i dakorduar më parë me Kosovën.
Ndërsa marrëveshjet, memorandumet dhe protokollet e firmosura kanë të bëjnë kryesisht me infrastrukturën, ekonominë, krizën energjetike, sigurinë dhe kulturën.
Në fjalën e tij pas mbledhjes së përbashkët, kryeministri i Maqedonisë së Veriut falënderoi homologun nga Shqipëria Edi Rama për mbështetjen e tij dhe popullit shqiptar ndaj Maqedonisë së Veriut, sidomos në raport me hapjen e bisedimeve me BE-në.
“Dua të falënderoj Edin dhe Shqipërinë për përkrahjen e tij dhe të tyre që e kemi pasur gjatë gjithë kësaj periudhe, sidomos gjatë verës kur qëndronim në tavolinën e Brukselit duke negociuar hapjen shumë të merituar të negociatave. Edhe kur thamë Jo, edhe kur thamë Po, edhe pse nuk ishte e lehtë, ju Edi dhe delegacioni juaj na dhatë mbështetje të plotë. Disa nuk besonin, por ja sot të dy vendet me bisedime të hapura udhëtojnë shpejt në rrugën evropiane”, tha kryeministri Kovaçevski.
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama nga ana tjetër theksoi se projektet infrastrukturore të dakorduara sot, mbindërtojnë infrastrukturën e zhvilluar në Ballkan, që është edhe ndër synimet kryesore të nismave rajonale.
“Kështu besojmë që ne krijojmë një infrastrukturë komplekse në funksion të rritjes së volumit të ndërveprimit mes vendeve tona, gjë që ka qenë dhe mbetet qëllimi parësor i nismës Ballkani i Hapur, por po ashtu edhe i Procesit të Berlinit”, tha kryeministri Edi Rama.
Kryeministri Rama gjithashtu njoftoi se portin e thatë të Strugës do ta ndërtojë kompania holandeze e cila ndërtoi portin e ri të Durrësit dhe ka marrë përsipër ndërtimin e portit të thatë të Prishtinës.
Gjithashtu, u dakordua hapja e një tjetër vendkalimi kufitar mes dy vendeve, që do të lidhë korridorin 8 nga të dy anët.