Bashkëpunimi ndërmjet agjencive policore të Maqedonisë së Veriut dhe Bosnjë е Hercegovinës (BеH) është i shkëlqyer dhe pritet që në periudhën e ardhshme të jetë edhe më i mirë. Këtë e kanë bërë të ditur në një konferencë të përbashkët për media në Shkup ministrat Pançe Toshkovski dhe Nenad Neshiq. Ministri i Sigurisë i BeH-së, Nenad Neshiq, së bashku me një delegacion përcjellës po qëndron për vizitë pune në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut, ku u prit me një ceremoni solemne nga ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski.
Pas takimeve, ministrat mbajtën një konferencë të përbashkët për media ku u shprehën të kënaqur me bashkëpunimin e deritanishëm.
Ministri Toshkovski tha se në takim është biseduar për çështjet që janë me interes për të dyja vendet, për reformat e nevojshme dhe hapat për përafrim me familjen evropiane.
Është konstatuar, theksoi ai, se bashkëpunimi është në nivel të shkëlqyer dhe jep rezultate të shkëlqyera.
“Diskutuam edhe për tema që janë me interes për të dyja vendet, si vende ku kemi tranzit të migracionit ilegal. Diskutuam tema që lidhen me krijimin, me iniciativën tonë, të një qendre rajonale të trainimit të iniciuar nga ne dhe konferenca rajonale të të gjitha qendrave të trajnimit në vendet e Ballkanit. Shpresojmë se do të kemi sukses që në të ardhmen të iniciojmë një bashkëpunim të tillë rajonal”, tha Toshkovski.
Ministri Neshiq rikujtoi se me ministrin Toshkovski ka qenë në kontakt që nga koha e qeverisë teknike në Maqedoninë e Veriut.
Në deklaratën e tij, ai theksoi se është diskutuar gjithçka që paraqet problem për sigurinë e BeH-së dhe Maqedonisë së Veriut, siç është migrimi i paligjshëm.
“Krimi, korrupsioni, gjithçka që kërcënon sigurinë e qytetarëve, sigurinë e pronës apo të shtetit në ndonjë mënyrë tjetër, pavarësisht nëse bëhet fjalë për Maqedoninë e Veriut apo BeH-në, do të sanksionohet dhe nuk do të mbrohet, pavarësisht nëse ndodhet në ndonjë pozitë apo jo”, tha Neshiq.
Ai bëri të ditur se në fillim të vitit të ardhshëm, ministri i Maqedonisë së Veriut do ta vizitojë BeH-në, vizitë gjatë së cilës pritet të nënshkruhet Protokolli i Bashkëpunimit në fushën e mjekësisë ligjore.